Drenica nuk do të jetë më asnjëherë e diskriminuar apo e izoluar. Do të ketë vetëm mirëqenie dhe progres për këtë pjesë të Kosovës, e cila dha trima të pashembullt që i dhanë liri Kosovës.
Kështu ka deklaruar sot presidenti i vendit Hashim Thaçi, duke shtuar se asgjë nuk ndodh rastësisht, sepse lindi, u forcua dhe fitoi populli i Kosovës.
Në tubimin përkujtimor ku janë nderuar në 20 vjetorin e rënies martirët e fshatit Polac të komunës së Skenderajt, Thaçi kujtoi se anekënd Kosovës po përkujtohen martirët dhe heronjtë e kombit, teksa shtoi se shteti do të jetë gjithmonë afër familjeve të tyre dhe gjithë shoqërisë.
Dhembja e familjarëve të të rënëve për liri, sipas tij, përcjellë institucionet në vendimmarrje institucionet e vendit.
Kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, pati një mesazh për më shumë punë, në mënyrë që amaneti i të rënëve të vihet në vend.
Në emër të familjeve të dëshmorëve, Rushit Veliu, tha se martirët e Polacit trasuan rrugën e së ardhmes, duke mbyllur kapitullin e luftës dhe duke hapur atë të lirisë.
Në nderim të jetës dhe veprës së të dëshmorëve dhe martirëve të fshatit Polac, u bënë homazhe pranë varreve të tyre./KosovaPress/