Ballina Lajme Botë 10 vite burg anëtarit të grupit “Proud Boys” për sulmin ndaj Kapitolit

10 vite burg anëtarit të grupit “Proud Boys” për sulmin ndaj Kapitolit

Një ish-anëtar i grupit ekstremist të së djathës së skajshme Proud Boys që theu dritaren e Kapitolit gjatë sulmit të 6 janar 2021, u dënua të premten me 10 vite burgim. Ndërsa dilte nga salla e gjyqit, ai deklaroi “Trump-i fitoi!”.

Marketing

Dënimi për Dominic Pezzolan, ndër dënimet më të gjata për 6 janarin, është dënimi më i fundit, që pasoi dënimet e dhëna për udhëheqësit e grupit të gjendur fajtorë për drejtimin e sulmit që synonte ndaljen e transferimit paqësor të pushtetit nga Donald Trump-i tek Joe Biden-i pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. I akuzuari më i rëndësishëm në procesin gjyqësor që ka zgjatur prej disa muajsh, është ish-drejtuesi kryesor i grupit, Enrique Tarrio, i cili pritet të dënohet të martën.

Zoti Pezzola, 46 vjeç, i mori mburojën një oficeri të policisë dhe e përdori për të goditur një dritare, duke mundësuar kështu hyrjen e parë me forcë në Kapitol. Më vonë ai filmoi një video festive me një puro në dorë brenda godinës, thanë prokurorët. Ai ishte sidoqoftë ndër rekrutët e rinj të grupit Proud Boys dhe juria e gjeti jo fajtor për akuzën më të rëndësishme, atë të konspiracionit për rebelim, një akuzë e rrallë e përdorur gjatë epokës së Luftës Civile. Ai u gjet fajtor për akuza të tjera të rënda, dhe prokurorët patën kërkuar 20 vite burgim.

“Ishte një ushtar i thjeshtë entuziast”, tha prokurori Erik Kenerson.

Gjykatësi Timothy Kelly vuri në dukje se zoti Pezzola, rezident i shtetit Nju Jork, ishte i ardhur rishtazi në këtë grup dhe nuk shkruajti mesazhe të dhunshme në internet, si të akuzuarit e tjerë përpara sulmit të 6 janarit. Ai shërbeu megjithatë si kryesues i sulmit që mundësoi hyrjen në Kapitol, tha gjykatësi, i cili vendosi të përfshijë në dënim edhe një klauzolë për ndihmë ndaj terrorizmit.

Marketing
Exit mobile version