Situata me virusin korona nuk i pengoi autoritetet e Qytetit të Shkupit që edhe këtë vit të shpallin tender për zbukurimin e kryeqytetit me rastin e Vitit të Ri. Qyteti i Shkupit e shpalli tenderin për zbukurimin e rrugëve, bulevardeve dhe shesheve për Vitin e Ri, në vlerë e cila sipas marrëveshjes është 200 mijë euro.
“Zbukurimi dhe stolisja gjatë festave të Vitit të Ri duhet të jetë në nivel të lartë estetik, në frymën e jetesës moderne, me dizajn bashkëkohor dhe atraktiv, me efekte artistike”, thonë nga Byroja për furnizime publike.
Qytetarët të cilët i anketoi TV21 janë me mendime të ndara në lidhje me dekorimin e kryeqytetit.
“Mendoj se nuk duhet të zbukurohet, më mirë paratë të jepen në qëllime humanitare. Mendoj se nuk është e nevojshme, çdokush mund ta dekorojë shtëpinë e tij, për shkak se nuk shëtisim shumë nëpër qytet”.
“Të stoliset pak, sipas situatës. Tani është kohë e tillë kur duhet të kursejmë”.
“Korona nuk ka lidhje me stolisjen. Duhet të zbukurohet dhe të jetë bukur. Kush do që të vijë, le të vijë, kush jo, le të ruaj veten. Andaj ekzistojnë maskat”.
“Duhet të stoliset. Pa marrë parasysh se ka korona, duhet të jetojmë dhe të shkojmë përpara”.
Ndërkohë grupi i këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së në Qytetin e Shkupit, apelon që këto 200 mijë euro që Shilegov planifikon t’i shpenzojë për stolisjen e qytetit, të shpenzohen për ndihmë në luftën me virusin korona.
TV21 kërkoi përgjigje nga Qyteti i Shkupit nëse mbetet vendimi për stolisjen e qytetit për festat e fund vitit ose këto mjete do t’i riorientojë, por nuk morëm asnjë përgjigje.
Planifikohet që kryeqyteti të stoliset në fillim të dhjetorit. Se a do të organizohet pritje për Vitin e Ri dhe nëse do të mbahet manifestimi Ëinterland do të varet nga gjendja epidemiologjike në vend. Vjet zbukurimi i qytetit për festat e fund vitit kushtoi 260 mijë euro. Në shënimin e Viti të Ri që u organizua në sheshin Maqedonia performoi këngëtari Dino Merlin, ndërsa performanca e tij, siç pohoi Shilegov, u pagua me sponzorime.
Mgid