21 ditë në koma, Bujar Qamili rrëfen betejën e vështirë me Covid

Këngëtari i mirënjohur shkodran, mjeshtri madh i muzikës popullore Bujar Qamili pak kohë më parë u infektua me Covid, duke kaluar kështu eksperiencën më të vështirë shëndetësore në jetën e tij.

Marketing

Për fat të keq ai e përjetoi shumë rëndë këtë periudhë duke qëndruar edhe 21 ditë në koma në një spital në Itali.

Bujari rrëfeu në një lidhje Skype nga Italia për “Wake Up” se shkoi në vendin fqinj për të kaluar disa ditë pushime me familjen, por pati shqetësime me veshkat dhe u shtrua në spital. Më vonë ai përmirësua, erdhi në Shqipëri për një aktivitet muzikor dhe u kthye përsëri në Itali.

Menjëherë iu shfaqën shenjat e para dhe u shtrua përsëri në spital pasi ishte prekur nga koronavirus. Pas 5 ditësh ai hyri në koma dhe qëndroi për 21 ditë, më të tmerrshmet e jetës së tij. Këngëtari beson se virusin e ka marrë në festival.

“Erdha në Itali ku jam aktualisht për pushime, por më filluan problemet e veshkave. U shtrova në spital për 10 ditë, u bëra mirë dhe dola nga spitali.

Kur dola nga spitali, më edhi një ftesë nga disa miq për organizimin e një koncerti. Unë sakrifikova dhe shkova në Tiranë të koncerti ‘Këngë Moj’.

Pas provave u nisa drejt Milanos dhe ndjeva lodhja. Filloi temperatura pastaj, deri në 39 dhe s’kishte më kuptim të qëndroja në shtëpi.

Kam shkuar në spital dhe të nesërmen në mëngjes, kur erdhi djali për të më parë më tha: ‘babë mjekët thonë që ke marrë virus dhe do qëndrosh në spital. Pas 4-5 ditësh gjendja u përkeqësua. Djali më tha ke qëndruar 21 ditë në koma. Tani jam jashtëzakonisht mirë”, u shpreh Bujar Qamili.