21 viktima nga sulmet izraelite, OKB: Paqeruajtësit do të qëndrojnë në Liban

Të paktën 21 persona janë vrarë dhe 8 të tjerë janë plagosur si pasojë e një sulmi të rrallë ajror izraelit në veri të Libanit. Sulmi goditi një ndërtesë në Aitou, një fshat larg zonave ku Izraeli ka kryer sulme kundër Hezbollahut. Nga ana tjetër, Izraeli nuk ka komentuar në lidhje me ngjarjen.

Marketing

Ndërkohë, Kombet e Bashkuara thonë se paqeruajtësit e saj në Libanin jugor do të qëndrojnë në pozicionet e tyre, pavarësisht kërkesave të përsëritura të Izraelit që ata të largohen nga rruga e forcave të tij atje.

Kreu i operacioneve paqeruajtëse të OKB-së, Jean-Pierre Lacroix u tha gazetarëve në Nju Jork se vendimi për të mbajtur forcën Unifil kishte mbështetjen e plotë si të Këshillit të Sigurimit, ashtu dhe të shteteve anëtare që kontribuonin me trupa.

Gjatë së dielës, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu paralajmëroi OKB-në që të largohej nga bazat e saj në Libanin jugor, për të cilat tha se po siguronin një mburojë njerëzore për Hezbollahun. Megjithatë, OKB-ja qëndron e palëkundër në misionin e saj për të cilin thotë se është të mbështesë palët në konflikt dhe jo të zbatojë marrëveshje.

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka akuzuar Izraelin se ka shënjestruar qëllimisht bazat e tij, me pesë paqeruajtës të plagosur javën e kaluar, një akuzë e hedhur poshtë nga Netanyahu. Në Gaza, OKB-ja ka dënuar “numrin e madh të viktimave civile” të shkaktuara nga sulmet izraelite gjatë ditëve të fundit./tvklan.al