Qytetarët e Gostivarit dhe rrethinës, pas plotë 24 vitesh përkujtojnë ngjarjet e përgjakshme të 9 korrikut të vitit 1997. Pikërisht para 24 viteve, qytetarët shqiptarë të Gostivarit u mblodhën përpara kuvendit komunal të Gostivarit, për të protestuar në mënyrë paqësore kundër heqjes së flamurit shqiptar, sfidë kjo e cila u shoqërua me ushtrimin e dhunës, forcës dhe shtypjes të shtetit të Maqedonisë ndaj popullatës shqiptare, njofton Gostivari Sot
Në gjithë këtë situatë, shkas i dhunës së shfrenuar policore – ushtarake ishte flamuri kombëtar shqiptar që ishte vendosur përpara ndërtesave komunale në Gostivar dhe Tetovë si dhe nëpër komunat tjera ku dominonin shqiptarët.
Rrjedhimisht, përpjekja më serioze e realizuar në mënyrë paqësore dhe demokratike për ngritjen e nivelit të barazisë ndëretnike në Maqedoni, u shfaq që në zgjedhjet lokale të vitit 1996 nga të cilat dolën përfaqësues politik të zgjedhur në mënyrë demokratike.
Në mbledhjen e parë punuese të Këshillit të Parë Plural Komunal, në një procedurë legale juridike, më 27 Janar të vitit 1997 ngritën Flamurin Kombëtar Shqiptar, para godinës së komunës së Gostivarit. Por, vendimi për përdorimin e flamurit shkaktoi reagimin e menjëhershëm të Qeverisë së Maqedonisë, njofton Gostivari Sot
Për pasojë, u aktivizua edhe Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë, e cila më 21 maj, 1997, u deklarua se me këtë akt “kërcënohej sovraniteti i shtetit dhe kërkoi heqjen e flamurit kombëtar shqiptar. Më 8 korrik të vitit 1997, në orët e
vona të natës, Kuvendi i Maqedonisë miratoi ligjin, përmes të cilit u lejua zyrtarisht përdorimi i kufizuar i flamujve të nacionaliteteve, pra edhe i Flamurit të shqiptarëve, por vetëm për përdorim në dimensionin privat dhe kulturor.
Ky vendim i kuvendit republikan, pa respektuar afat e fuqizimit u materializua pak orë pas aprovimit të së njëjtit. Manifestimi i protestës nisi si pasojë e heqjes në orën 1 e 30 të mëngjesit, të datës 9 korrik, të flamurit kombëtar shqiptar nga forcat speciale të policisë maqedonase.
Dy orë pas heqjes së flamurit, forcat e policisë arrestuan rreth 30 veprimtarë politikë shqiptarë, përfshi këtu edhe kryetarin e atëhershëm të Komunës së Gostivarit, Rufi Osmani, Nevzat Bejta, Xhevat Bejta, kryesuesin e atëhershëm të Këshillit Komunal Refik Dauti , si dhe shumë personalitete të tjera publike, njofton Gostivari Sot
Pasojat e ngjarjeve të përgjakshme të 9 Korrikut ishin tragjike dhe të përgjakshme, u vranë tre shqiptarë, u plagosën me qindra të tjerë, u keqtrajtua pa mëshirë çdo qytetarë jo maqedonas që gjendej duke lëvizur nëpër rrugë. Ngjarjet e përgjakshme të 9 korrikut, u shoqëruan edhe me pasoja afatgjate.
Nga rrahja dhe keqtrajtimet ç’njerëzore të policisë, brenda kësaj kohe, jetë ndërruan edhe shumë qytetarë të tjerë shqiptarë.
Pas ngjarjeve të 9 korrikut, për të arsyetuar tërë ngjarjen, u organizua procesi gjyqësor i Gostivarit, i cili përfundoi më 16 shtator 1997. Në këtë proces Gjykata themelore e Gostivarit shpalli fajtorë kryetarin e komunës së Gostivarit, Rufi Osmani, duku i shqyrtuar 14 vite burg, gjegjësisht 7 vite burg në instancën e dytë gjyqësore, njofton Gostivari Sot
Në këtë gjykim u bë e qartë se në këtë sistem nuk ka vend për politikë vizionare, e cila ofronte modele më të mira për marrëdhëniet ndëretnike. Pas miratimit të Ligjit për amnisti në vitin 1999 lirohet nga burgu duke kaluar afërsisht 2 vite në burgjet e Maqedonisë.
Ndëshkime pati edhe për kryetarin e atëhershëm të Tetovës, Alajdin Demiri si dhe kryesuesin e këshillit komunal, Vebi Bexheti. Tani pas 17 viteve, përpara godinës komunale të Gostivarit valëvitet flamuri shqiptar. Gostivari Sot