27 vjet nga ngjarjet e përgjakshme të Gostivarit

Qytetarët shqiptarë të Gostivarit, sot para 27 viteve, u mblodhën përpara godinës komunale për të protestuar në mënyrë paqësore kundër heqjes së flamurit shqiptar, sfidë kjo e cila u shoqërua me ushtrimin e dhunës, forcës dhe shtypjes të shtetit të Maqedonisë ndaj popullatës shqiptare.

Marketing

Më 27 janar të vitit 1997 u ngrit flamuri kombëtar shqiptar, para godinës së komunës së Gostivarit. Por, vendimi për përdorimin e flamurit shkaktoi reagimin e menjëhershëm të Qeverisë së Maqedonisë.

U aktivizua edhe Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë, e cila më 21 maj, 1997, u deklarua se me këtë akt “kërcënohej sovraniteti i shtetit dhe kërkoi heqjen e flamurit kombëtar shqiptar”.

Më 8 korrik të vitit 1997, në orët e vona të natës, Kuvendi i Maqedonisë miratoi ligjin, përmes të cilit u lejua zyrtarisht përdorimi i kufizuar i flamujve të nacionaliteteve, pra edhe i Flamurit të shqiptarëve, por vetëm për përdorim në dimensionin privat dhe kulturor. Ky vendim i kuvendit republikan, pa respektuar afatet e fuqizimit u materializua pak orë pas aprovimit të së njëjtit. Manifestimi i protestës nisi si pasojë e heqjes në orën 1 e 30 të mëngjesit, të datës 9 korrik, të flamurit kombëtar shqiptar nga forcat speciale të policisë maqedonase.

Dy orë pas heqjes së flamurit, forcat e policisë arrestuan rreth 30 veprimtarë politikë shqiptarë, përfshi këtu edhe kryetarin e atëhershëm të komunës së Gostivarit, Rufi Osmani.

Pasojat e ngjarjeve të përgjakshme të 9 Korrikut ishin tragjike dhe të përgjakshme, u vranë tre shqiptarë, Dr. Shpend Iseini, Nazmi Saliu dhe Milaim Dauti, u plagosën me qindra të tjerë, u keqtrajtua pa mëshirë çdo qytetarë jo maqedonas që gjendej duke lëvizur nëpër rrugë.

Ngjarjet e përgjakshme të 9 korrikut u shoqëruan edhe me pasoja afatgjate.