Osmani mbajti fjalim në Forumin Global të Sigurisë “ GLOBSEK 2021” në Bratisllavë

Ministri i Punëve të Jashtme sot kishte fjalim në Forumin Global të Sigurisë “GLOBSEC” në Bratisllavë, me temë “Evropa gjeopolitike në udhëkryq: Ballkani Perëndimor, në epokën post- Covid-19”.

Marketing

Duke iu referuar pasojave rajonale dhe gjeopolitike, nëse humbet përkushtimi i Bashkimit Evropian drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor, Osmani potencoi se e ardhmja e rajonit është në BE, që njëkohësisht është edhe fakt gjeografik dhe gjeopolitik. Vendet gjenden në fazën e bashkëpunimit ekonomik të përforcuar të ndërsjellë, e cila në mënyrë të pashmangshme do të shpie në pranimin e tregut të përbashkët evropian.

“Ky është thelbi i integrimit evropian. Politika e Jashtme dhe e Sigurisë e BE-së do të jetë temë e zhvillimeve të mëtutjeshme, por fakti që të gjithë ne Kontinentin Evropian, në masë më të madhe jemi përcaktuar për vlerat liberale euro-atlantike, tregon mjaftueshëm se e ardhmja është e parashikueshme, se të gjithë të jemi pjesë e Aleancës së përbashkët, për t’u mbrojtur nga kërcënimet e përbashkëta” theksoi Osmani.

Në këtë kontekst, Ministri Osmani theksoi se për procesin e pranimit të vendeve të rajonit reformat janë kyçe, respektivisht “themelet”, ndërsa ajo që është e rëndësisë së veçantë në rrugën drejt anëtarësimit në BE është pajtimi i rajonit, gjë që vendet duhet të vazhdojnë të punojnë në mënyrë aktive.

“Maqedonia e Veriut me Marrëveshjen e Ohrit, Marrëveshjen e Prespës dhe Marrëveshjen për fqinjësi të mirë dhe miqësi me Bullgarinë është model i cili duhet që të ndiqet në këtë drejtim” theksoi Osmani.

I pyetur nëse ekziston mënyrë që BE të dëshmojë se metodologjia e re është operacion afatgjatë që mund ta nxisë orientimin pro evropian të vendeve të BP-së, Osmani theksoi se nëse na lejohet të negociojmë shumica do të befasohen për të mirë nga përkushtimi ynë, por edhe nga kapaciteti ynë profesional.

“Unë jam optimist se edhe krahas mundimeve të qytetarëve tanë durimtar në raport me eurointegrimet, për shkak pengesave bilaterale, së shpejti do të dëshmojmë se qytetarët tanë pa dallim se nga cili komunitet vijnë posedojnë kualitete që të garojnë me moshatarët e tyre në BE. Të rinjtë tanë do të na kapërcejnë dhe do të dëshmojnë se paarsye shumë gjatë na kanë penguar që të zhvillohemi, ekuivalente me vendet që tashmë janë anëtarë të BE-së”, tha Osmani.

Ministri Osmani në këto tema debatoi së bashku me Ministrat e Punëve të Jashtme të Kroacisë dhe Sllovenisë, Radman dhe Logar, të shoqëruar nga përfaqësuesi special i BE-së për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak.

Në konferencë do të marrin pjesë shefat e shteteve dhe qeverive, Ministra të Punëve të Jashtme, delegacione parlamentare, përfaqësues të komunitetit afarist, si dhe përfaqësues të shumtë të organizatave joqeveritare ndërkombëtare me ndikim, dhe think-tank organizatat nga Evropa dhe bota.

Marketing