Sipas Kushtetutës Ivanov është i detyruar ta nënshkruajë marrëveshjen me Greqinë

Është duke rrjedhur afati kushtetues prej shtatë ditësh ku presidenti i shtetit, Gjorge Ivanov duhet ta nënshkruajë dekretin për shpalljen e ligjit për ratifikimin e marrëveshjes me Greqinë, marrëveshje që dje mori mbështetje prej 69 deputetëve dhe që e njëjta duhet të publikohet në “Gazetën Zyrtare” dhe të hyjë në fuqi. Me nënshkrimin e kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, ligji dje është dërguar për nënshkrim te presidenti i shtetit, Gjorge Ivanov, shkruan Dojçe Vele, transmeton Portalb.mk.

Marketing

Por, nëse Ivanov vendos që mos të nënshkruajë dekretin e ligjit, siç ka thënë disa herë deri tani, duhet ta njoftojë Kuvendin. Pastaj ligji rikthehet në rishqyrtim në Kuvend dhe nëse përsëri miratohet me shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve, Ivanov “detyrohet” ta nënshkruajë.

Ky detyrim vjen sipas nenit 75 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë i cili thotë:

Ligjet shpallen me dekret.

Dekretin për shpalljen e ligjeve e nënshkruajnë Presidenti i Republikës dhe Kryetari i Kuvendit.

Presidenti i Republikës mund të vendosë të mos e nënshkruajë dekretin për shpalljen e ligjit. Kuvendi sërish e shqyrton ligjin dhe në qoftë se e miraton me shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve, Presidenti i Republikës e ka për detyrë ta nënshkruajë dekretin.

Presidenti e ka për detyrë ta nënshkruajë dekretin, në qoftë se sipas Kushtetutës, ligji nxirret me shumicë prej dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.

Rasti i njëjtë tashmë ka ndodhur

Rasti me Ligjin për përdorimin e gjuhëve ka treguar se Ivanov vepron në kundërshtim me Kushtetutën dhe nuk vendos nënshkrim në ligj edhe pas miratimit për së dyti herë. Sipas saj, “fat” i njëjtë do të ndodhë edhe me ratifikimin e marrëveshjes me Greqinë. Shumë ekspertë juridik të cilët i ka konsultuar Dojçe Vele potencojnë se Kushtetuta është e qartë. Sipas tyre, Ivanov ka të drejtë që vetëm një herë të mos e nënshkruajë dekretin e ligjit. Por, nëse nuk e nënshkruan edhe për së dyti herë, nuk kanë ide se si duhet të veprojë.

“Në rast të tillë, Kuvendi duhet ta dërgojë ligjin për publikim në “Gazetën Zyrtare” vetëm me nënshkrim të kryetarit të Kuvendit, sepse obligimi kushtetues dhe procedura respektohet nga të gjithë, përveç presidentit. Ligji duhet të publikohet me shpjegim ku do të citohet se presidenti i shteti ka vepruar në kundërshtim me obligimin kushtetues të nenit 75 dhe nuk e ka nënshkruar dekretin e ligjit pas shpalljes për së dyti herë. “Gazeta zyrtare” e ka për detyrë që ta publikojë ligjin me shpjegim të tillë, ndërsa mungesa e nënshkrimit të presidentit do të jetë bazë për përgjegjësinë penale”, thonë ekspertet për Dojçe Vele.

Disa ekspertë konsiderojnë se akti i tillë duhet të mbështetet edhe me mendim/tregim të Gjykatës Kushtetuese, e cila do ta “rikujtojë” presidentin për detyrimin ligjor.

I mendimit të tillë është edhe deputeti Valerij Giletçi nga Kuvendi i Këshillit të Evropës i cili e vlerësoi marrëveshjen me Greqinë si historike dhe akt që do të mundësojë stabilitet në rajon. Ai potencoi se presidenti i shtetit nuk duhet ta bllokojë rrugën e Kuvendit dhe shpjegoi se shteti i tij Moldavia është përballur njëjtë me probleme të tilla që janë zgjidhur nga Gjykata Kushtetuese. Giletçi konfirmoi se në këtë temë ka biseduar me gjykatësit kushtetues në Maqedoni.

Ndryshe, ratifikimi i marrëveshjes me Greqin në Kuvendin e Maqedonisë është përshëndetur nga shumë politikan të rajonit dhe Evropës.

Marketing