Nesër me fillim në ora 20:00 në Teatrin Shqiptar në Kumanovë do të shfaqet premiera e komedisë absurde “Në Det”, të autorit Sllavomir Mrozhek, e në regji të Qëndrim Rijanit.
Në rolet kryesore do të luajnë aktorët Qazmedin Nuredini, Mirsad Abazi, Sefedin Shabani, Taulant Destani si dhe Faton Ibrahimi.
“Kjo shfaqe i takon absurdit politik, apo Komedisë absurde si zhanër I kritikës, dramaturgjikës post modern. Neve jemi munduar për rreth dy muaj që këtu në Teatrin e Kumanovës të sjellim ato të vërteta që ka dashur ti thotë vet autori duke i mveshur kështu të vërtetat, problemet të cilat ne kemi dashur ti trajtojmë” – deklaroi regjisori, Qëndrim Riani.
“Në këtë shfaqe trajtohen tema të përditshmërisë të cilat na përcjellin për cdo ditë e që i hasim në çdo sferë, faktikisht temat juridike, drejtësinë, urrejtjen mes njëri tjetrit, ambiciet për pushtet e gjitha këto tema që botën bashkëkohore e mundojnë këto lloje fenomenesh” – u shpreh drejtori i teatrit shqiptar të Kumanovës, Qazmedin Nuredini.
“Karakteri i Mesit është një njeri i cili e nuhatë atë se ku është forca e me të cilën pastaj bashkangjitet sepse nuk është njeri i cili vendos vet pa pasur përkrahje apo pa pasur një forcë nga dikush tjetër, dhe këtë do e shofin edhe vet publiku që do vijnë për ta pa këtë shfaqe” – tha aktori, Mirsad Abazi.
Repriza e parë e komedisë absurde “Në Det” do të realizohet të Hënën më datë 2 Korrik 2018 me fillim në ora 20 gjithashtu në Teatrin Shqiptar të Kumanovës, organizatorët paralajmërojnë se kjo shfaqe do të luhet edhe në qytete tjera të Maqedonisë dhe jashtë saj.