Nënkryetari i FFM-së Sejdini pjesëmarrës në zgjedhjen e Ademit pasardhës i Vokrrit si president i FFK-së

Agim Ademi është kryetar i ri i Federatës së futbollit të Kosovës. Të premten (6 korrik) në një Kuvend të jashtëzakonshëm zgjedhor u vendos emri i pasardhësit të tashmë presidentit të ndjerë të FFK-së, Fadil Vokrrit.

Marketing

Legjenda e futbollit kosovar u nda nga jeta 9 qershorin e këtij viti (2018) pas një sulmi kardiak, ndërsa gati një muaj më vonë shtëpia e futbollit vendos pasardhësin e tij. Ashtu si pritej, ky post i ka takuar nën-kryetarit të deritashëm dhe dora e djathtë e Vokrrit, Agim Ademi.

Si kandidat i vetëm me 58-të vota pro (Kuvendi i FFK-së numëron 59-të anëtarë, por njëri prejt tyre nuk ishte i pranishëm) dhe asnjë kundër, Agim Ademi në mënyrë unanime morri besimin për të drejtuar institucionin më të lartë të futbollit kosovar.

Kuvendi i jashtëzakonshëm zgjedhor u zhvillua në prani të përfaqësuesve të UEFA-së, Federatës turke të futbollit dhe Federatës së futbollit të Maqedonisë e cila u përfaqësua nga nënkryetari, Muhamed Sejdini. Ky i fundit prej më parë shfaqi mbështetje për kandidaturën e Agim Ademit, duke e cilësuar njeriun e duhur për të vazhduar proceset e lëna në gjysmë nga vdekja e papritur e Fadil Vokrrit.

“Përgëzoj Kuvendin e FFK-së për zgjedhjen e drejtë në këtë moment. Uroj Agim Ademin për detyrën e re të cilën besoj fuqishëm se do ta kryejë në mënyrën më të mirë të mundshme”, shprehet nënkryetari i FFM-së, Muhamed Sejdini duke vijuar: “E kam thënë prej më parë se kjo ishte zgjidhja më e logjikshme dhe e drejtë në këtë moment. Humbja e Vokrrit është e pakompensueshme, por jeta duhet të vazhdojë dhe me këtë edhe proceset e lëna në gjysmë nga i ndjeri. Si njeri më i afërt me kryetarin e ndjerë, Ademi ishte personi ideal për të vazhduar në krye të FFK-së dhe më vjen shumë mirë që kuvendarët unanimisht përkrahën kandidaturën e tij. Ademi tani është i pari i FFK-së, mirëpo ai nuk do të mund të bëjë asgjë pa përkrahjen e gjithë atyre që e votuan. Futbolli është çështje komplekse dhe duhet shumë punë dhe unitet ndërmjet të gjithëve për të synuar realizimin e planeve”, përfundoi Muhamed Sejdini. Zhurnal.mk

Marketing