“Politikanët njerëzit më të korruptuar”, mendimi i njëzëshëm i shqiptarëve

Partitë politike, gjyqësori, doganat dhe sistemi shëndetësor perceptohen nga shqiptarët që kanë nivelin më të lartë të korrupsionit ndër vendet e Ballkanit Perëndimor.

Marketing

Konkluzioni ka dalë nga barometri i Opinionit Publik të vitit 2018, i publikuar së fundmi nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC). Mbi 6000 të anketuarve nga Shqipëria, Bosnjë Hercegovina, Maqedonia, Kosova, mali i Zi dhe Serbia u është drejtuar pyetja “Në çfarë mase ju bini apo nuk bini dakord që kategoritë e mëposhtme në ekonominë tuaj janë të ndikuara nga korrupsioni?”, ku në kategoritë kryesore përfshihen: partitë politike, sistemi gjyqësor, doganat, mjekësia e kujdesi shëndetësor, parlamenti, policia, media, zyrtarët publikë, sistemi i edukimit, sektori privat, OJF-të, ushtarakët, institucionet fetare.

Nuk ka asnjë habi, që shqiptarët mendojnë se kategoria më e korruptuar në vend janë politikanët, me një indeks prej 88 pikësh, që është më i larti në rajon për të gjitha kategoritë. Shtetet e tjera, qytetarët e të cilëve mendojnë se politikanët e tyre janë më të korruptuarit janë Bosnja (83) dhe Kosova (82). Malazezët janë ballkanasit që mendojnë se politikanët janë më pak të korruptuar.

Shqipëria kryeson dhe për perceptimin e qytetarëve për korrupsionin në sektorin gjyqësor, me 87 pikë. I dyti është Bosnja me 81 pikë. Shtetasit e Kosovës kanë mendimin më pozitiv për gjyqësorin, të ndjekur nga malazezët.

Kategoria e tretë, ku kryesojmë për korrupsionin është shërbimi mjekësor dhe shëndetësor, me 82 pikë. Edhe në këtë kategori na ndjek pas Bosnja (80), ndërsa opinion më pozitiv për mjekët kanë në Kosovë.

Nuk ndryshon shumë perceptimi as për doganat, që janë të katërtat më të korruptuarat në vend, sipas opinionit të publikut, por sërish kryesojmë në Ballkan, të ndjekura nga Bosnja, e në fund vjen Kosova.

Për kategoritë e tjera, perceptimi për korrupsionin ulet, teksa është shumë më i lartë në Bosnjë, duke bërë që Bosnja të rezultojë me nivelin më të lartë në total të këtij treguesi, ndërsa Shqipëria renditet e dyta.

Kategoria më pak e korruptuar në Shqipëri janë institucionet fetare (21 pikë. Krejt ndryshe është perceptimi për fenë në vendet e tjera të rajonit, që nuk e shohin me aq pozitivitet sa Shqipëria, sidomos në Bosnjë , me 61 pikë.

Raporti thekson se “Bosnja dhe Hercegovina kryeson tabelën e perceptimit të korrupsionit me një përqindje të lartë të anketuarve që raportojnë rreth praktikave korruptive në të gjithë kategoritë institucionale të anketuara. Së bashku me të anketuarit nga Bosnja dhe Hercegovina, individët nga Shqipëria kanë më shumë gjasa të perceptojnë partitë politike, gjyqësinë, doganat, shërbimet mjekësore dhe shëndetësore, si më të korruptuara sesa pjesa tjetër e rajonit.

Besimi në Ballkan në rritje

Në tërësi Barometri i Ballkanit për opinion publik vlerëson se besimi dhe kënaqësia e publikut, ndërsa është ende poshtë mesatares, po vjen në rritje. Për periudhën 2014-1017, Indeksi i besimit Publik është rritur nga 35 në 42, duke shfaqur një tendencë që ngjall optimizëm për të ardhmen, thekson raporti.

Shqipëria qëndron në mbi mesataren e rajonit, me një indeks prej 44, duke lënë pas Serbinë (42) dhe Bosnjën që e ka këtë tregues mjaft të ulët, në vetëm 31, duke ndikuar në performancën e gjithë Ballkanit./monitor

Marketing