Ligji i mediave, as javën që e lamë pas, nuk u vendos si pikë e rendit të ditës në Komisionin parlamentar të Transport dhe Lidhjeve, edhe pse kryetarja e këtij komisioni, Liljana Zaturovska nga radhët e VMRO-DPMNE-së, premtoi të kundërtën. Zaturovska nuk deshi që të përgjigjet në pyetjet e Televizionit Alsat për të mësuar arsyet se pse ligji për media mbeti i bllokuar në sirtarët e komisionit amë për më shumë se 1 muaj. Më 6 korrik Zaturovska tha se ligji nuk ka mbetur jashtë komisionit me qëllim të bllokimit të të njëjtit, por për shkak të angazhimit të deputetëve në fusha tjera. Ndryshe thonë nga LSDM-ja. Sipas socialdemokratëve, VMRO-DPMNE-ja qëllimisht po e bllokon ligjin. Ata thonë se po u përfundon durimi dhe se nëse vazhdon të bllokohet ligji për media, do të ndërmarrin masa të tjera në kuadër të ligjit.
Po. VMRO-DPMNE-ja me qëllim e bllokon miratimin e ligjit, gjë që e konstatoi edhe Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë. I bëjmë thirrje që të mos e pengojnë punën në Komisionin për Transport dhe Lidhje. Përderisa nuk ka ndryshime, LSDM-ja do i shfrytëzojë të gjitha mekanizmat demokratik ligjorë që sa më parë të miratohet Ligji i mediave – thonë nga LSDM-ja.
Për ligjin e Mediave në Komisionin për Transport dhe Lidhje janë parashtruar 73 amendamente, 12 prej të cilave nga shumica parlamentare. Deri tani, në gjashtë seanca të komisionit amë është debatuar për 7 amendamentet e VMRO-së, por asnjëri nuk është pranuar. Debati mbi amendamentet, thuajse në çdo seancë ka kaluar në fyerje dhe akuza politike mes deputetëve të shumicës dhe opozitës. Dallimet mes dy subjketeve politike kanë të bëjnë me rizgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të RTVM-së dhe Këshillit të Agjencisë së Mediave./alsat-m