Shefit të hetimeve në Policinë e Pejës, Shpend Berisha, i janë dhuruar disa metra katrorë lokal afarist në një objekt në Klinë. “Dorëlirë” për këtë ishte një biznesmen nga Peja, pronar i një kompanie patundshmërie. Pa dhuratë të njëjtë s’ka mbetur as vëllai i shefit të hetimeve, nga i njëjti afarist. Dhuratat u dhanë për gjoja kontributin e tyre në UÇK, ndaj me ketë rast përfitoi edhe politikani Fuad Ramiqi. Policia në Pejë e as Drejtoria e përgjithshme në Prishtinë, nuk kanë folur për rastin. Të gjithë qëlluan në pushim. As vetë kapiten Shpend Berisha nuk është përgjigjur në telefon. Sipas ligjeve në fuqi, personat zyrtarë nuk guxojnë të pranojnë dhurata me vlerë. IPK-ja konfirmon se ka nisur një hetim për këtë rast
Një lokal afarist në qendër të Klinës i është dhuruar para dy jave shefit të hetimeve në Policinë e Pejës, Shpend Berishës, nga biznesmeni Agron Kelmendi, pronar i një kompanie të patundshmërisë, raporton Gazeta Express.
Përveç shefit policor, një lokal tjetër e ka përfituar edhe vëllai i tij Vesel Berisha, nga i njëjti biznesmen, puna e të cilit përcillet me shumë dyshime.
Kelmendi dhe Vesel Berisha drejtojnë kompani të ndryshme, por me veprimtari të njëjtë pune – shitblerjen e tokave dhe patundshmërive.
Gazeta Express ka provuar të kontaktojë me shefin e hetimeve në Policinë e Pejës, Shpend Berisha, por numri i tij i kontaktit ka qenë i paqasshëm në thirrjet e gazetës.
Sqarime nuk ka dhënë as shefi i tij, drejtori i Policisë rajonale të Pejës, Shaban Shala.
“Jam në pushim dhe jam jashtë vendit”, ka thënë Shala përmes telefonit, pasi i është treguar arsyeja se përse është telefonuar. Ai, tutje, ka thënë që për këtë çështje të kontaktohet zëdhënësi Xhevat Ibra.
Edhe ky doli të jetë në pushim. Sugjeroi që pyetjet të dërgohen me e-mail në Drejtorinë në Pejë, por edhe në atë qendrore në Prishtinë. Asnjëra prej tyre, deri më tash nuk kanë kthyer përgjigje.
Për rastin deri më tash ka folur vetëm IPK-ja, e cila veçse ka nisur një hetim për dhuratën që pranoi hetuesi i lartë policor, pasi Gazeta Express ka dërguar pyetje në drejtim të tyre.
“Inspektorati Policor i Kosovës, respketivisht Departamenti i Hetimeve ju konfirmon se këtë çështje është duke e trajtuar nëpërmjet rrugëve operative hetimore mirëpo për shkak të integritetit të hetimeve tani për tani nuk mundemi të japim detaje tjera lidhur me këtë rast”, thuhet në përgjigjen e IPK’së.
Vetëm pak muaj më parë, Shpend Berisha është graduar në Policinë e Kosovës me gradën kapiten.
Nga ana tjetër, përveç vëllezërve Berisha, përfitues të lokaleve të ngjashme, në të njëjtin objekt në Klinë, që bëhet i ditur të jetë afër 7000 metra katrorë, në qendër të Klinës, janë edhe politikani Fuad Ramiqi, deri pak muaj më parë i akuzuar për “thirrje për rezistencë” dhe një person tjetër me emrin Naser Qorraj. I fundit, instruktor i armëve të zjarrit në një poligon shenjëtarie në Pejë.
E dhuratat që morën shefi i hetimeve në Policinë e Pejës, vëllai i tij, Fuad Ramiqi, dhe Qorraj u dhanë për gjoja kontributin e tyre në UÇK, gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Për të treguar se përfituan nga biznesmeni në fjalë, nuk ka hezituar të tregojë publikisht Vesel Berisha, që përmes Facebook-ut, më 5 korrik të këtij viti, ka shpërndarë njoftimin dhe fotografitë.
Madje, aty vëllai, po ashtu biznesmen, i shefit të hetimeve në Pejë, e lartësonte Agron Kelmendin duke e quajtur “humanist të madh” për dhuratat që ua bëri atij, vëllait të tij dhe dy shokëve të tjerë.
Por, vetëm pak ditë më pas njoftimi dhe fotografitë u zhdukën nga Facebook-u, shkruan Gazeta Express.
Derisa shefi i hetimeve në Pejë, Shpend Berisha, dhe vëllai i tij, Veseli, përfituan këto lokale afariste nga biznesmeni bashkëvendës i tyre, sipas ligjeve në fuqi, zyrtarëve publikë në Kosovë nuk u lejohet të pranojnë dhurata me vlerë të cilat mund të ndikojnë në ushtrimin e detyrave zyrtare. Njësoj as familjarët e tyre të ngushtë.
Sipas ligjit, dhuratat e rastit të dhëna në momente të caktuara nuk duhet të kalojnë shumën prej pesëdhjetë (50) eurosh, ose vlera e përgjithshme e tyre nuk duhet të kalojë vlerën prej njëqind (100) eurosh në vit, nëse janë dhënë nga i njëjti person.
Ligji, po ashtu, thotë se personi zyrtar nuk mund të pranojë dhurata të rastit, vlera e përgjithshme e të cilave kalon vlerën pesëqind (500) euro brenda një viti, sikurse i njëjti nuk mund të pranojë as dhurata monetare.
Ndryshe, biznesmeni nga Peja, Agron Kelmendi, ka pasur disa raste të kontesteve pronësore që janë trajtuar në Gjykatën e Pejës.
Po ashtu, dega e të njëjtës gjykatë themelore, në Deçan, në vitin 2015 e kishte gjykuar Kelmendin dhe bashkëpunëtorin e tij, Ramiz Muriqin, për një rast “keqpërdorim të besimit”. Ata dyshoheshin se së bashku kishin keqpërdorur autorizimin e dhënë nga një serbe Sllobodanka Radunoviq për shitjen e një prone të saj në Kosovë, e në fakt nuk iu kishte kompensuar fare.
Pronari i një kompanie të njohur të patundshmërisë në këtë rajon, ishte edhe dëshmitar në gjykimin e ish-gjyqtares nga Deçani Safete Tolaj dhe djalit të saj, Fisnik Tolaj.
E para u lirua nga akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare, javën e shkuar, derisa djali i saj u dënua me 4 vjet e 6 muaj burgim efektiv për “ushtrim të ndikimit” dhe “falsifikim të dokumentit”.
I njëjti është në lidhje të ngushtë gjaku me Driton Kelmendin, një i dënuar më 23 vite burgim për vrasjen e rëndë të Kreshnik Isufajt, shtatorin e vitit 2011 në Pejë.
Prokuroria Themelore në Pejë e as Policia rajonale për dy ditë nuk janë përgjigjur për Gazetën Express nëse aktualisht Agron Kelmendi ka ndonjë rast të dyshimtë që po hetohet nga ana e tyre. /M.Gj./GazetaExpress/.