Shkendija me fitore minimale udhëton drejt Moldavisë

Fitore minimale por shumë e rëndësishme për Shkëndijën e Tetovës që në stadiumin Philipi 2 në Shkup mposhti 1-0 moldavët e Sheriff Tiraspol në ndeshjen e parë të turit të dytë kualifikues të Champions League.

Marketing

Një gol i sulmuesit kryesor Besart Ibraimi i mjaftoi skuadrës tetovare që tashmë ka shanse të mëdha për të avancuar në raundin tjetër. Shkëndija e nisi me marshin e 5-të sfidën dhe pasi disa tentativave të pasakta zhbllokoi shifrat me Ibraimin në minutën e 24-ët me këtë të fundit që ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje standarte nga limitet e zonës duke i dhënë epërsinë skuadrës shqiptare.

Shkendija zhvilloi një pjesë të parë të shkëlqyer duke iu afruar golit të dytë në 2 raste me brazilianin Stenio Junior por njëherë një mbrojtës kundërshtar mbi vijën fatale dhe njëherë shtylla i mohuan golin sulmuesit anësor të Shkëndijës.

Në pjesën e dytë kuqezinjtë tetovarë patën një mundësi të mirë që në sekondat e para ndërsa më pas Sherifi luajti më mirë madje shpëtimtari i kuqezinjëve tetovarë ishte portieri Zahov, ndërsa Shkëndija kishte edhe fatin me vete në disa raste të skuadrës moldave. Përfundoi gjithçka me fitoren 1-0 të skuadrës së Qatip Osmanit, me Shkëndijën që nuk pësoi gol në këtë sfidë dhe tashmë një gol në fushë kundërshtare do të vlente sa për 2. Kualifikimi në turin e tretë të Championsit është shumë afër për kampionët e Maqedonisë.

Marketing