Shkolla e mesme në Saraj do të bëhet me sallë sporti (FOTO)

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi së bashku me kryetarin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, liderin e BDI-së, Ali Ahmeti dhe kryetarin e Komunës së Sarajit, Blerim Bexheti sot shënuan fillimin e aktiviteteve për ndërtimin e sallës së re të sportit – që është në përbërje të Shkollës së Mesme “Saraj”.

Marketing

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, ministri Ademi ka potencuar se ky investim, realizimi i së cilës korrespondon me fillimin e vitit të ri shkollor, konfirmon se një nga synimet parësore të kësaj Qeverie, në kuadër të politikave arsimore, është avancimi i kushteve infrastrukturore për realizimin e suksesshëm të procesit edukativo-arsimor dhe sporti dhe rekreacioni i më të rinjve.

“Kjo sallë sporti do t’i përmbushë të gjitha standardet bashkëkohore për cilësi, si nga aspekti i materialit ndërtimor, po ashtu edhe nga aspekti i sporteve që do të mund të realizohen, si fusboll i vogël, hendboll, basketboll, volejboll, gjimnastikë, pingpong – për të cilat do të vendoset pajisje adekuate dhe rekuizita sportive”, theksoi ministri Ademi, duke shtuar se ky objekt do të ketë sipërfaqe prej 1300 metra katrorë, me dhoma veshjeje, hapësira për rekuizita, hapësira/zyra për mësuesit, tualete dhe tribuna me kapacitet prej 500 karrigeve.

Vlera e përgjithshme e këtij investimi, që arrin shumën 40 milionë denarëve dhe që realizohet tërësisht nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, është me mjete buxhetore dhe mjete nga Banka për Zhvillim pranë Këshillit të Evropës – në kuadër të projektit për ndërtimin e 145 sallave të sportit nëpër shkolla.

Duke i uruar nxënësit, mësuesit dhe komunën, Ademi theksoi se salla do të duhet të përfundojë deri në fillim të vitit të ardhshëm shkollor dhe se përveç mbajtjes së orëve për sport dhe aktivitete sportive, objektin do të mund ta shfrytëzojnë edhe klubet e sporti dhe popullata lokale. Ministri Ademi ka shtuar se në kuadër të komunës së Sarajit, përveç fillimit të punimeve për ndërtimin e kësaj salle sporti, në rrjedhë e sipër është ndërtimi i sallës së sportit që është në përbërje të shkollës fillore në fshatin Gllumovë.

Marketing