Vuçiç: Kufijtë, të parëndësishëm në Evropë

Ndërsa Presidenti serb vizitonte veriun e Kosovës dhe përkatësisht Ujmanin, liqenin jetik për furnizimin me ujë të Kosovës, e të cilin Vuçiç ka shprehur dëshirën ta hedhë në tryezën e bisedimeve në Bruksel, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, iu rikthye tezës së korrigjimit të kufijve.

Marketing

Me një status në Facebook, Thaçi rikujton se vullneti i shprehur i qytetarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës më 1 dhe 2 mars 1992 për bashkëngjitje me Kosovën është institucionalizuar tek organet shtetërore të Republikës së Kosovës.

“Kjo çështje do të diskutohet në kuadër të demarkimit të kufirit prej 430 kilometrave ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe mund të zgjidhet. Të mos mbesim rob të dhuratave të antishqiptarit famëkeq Aleksandër Rankoviç, por të punojmë për korrigjimin e historisë dhe rritjen e sigurisë për të ardhmen evropiane.

Rezultate të marrëveshjes eventuale paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jenë njohja reciproke me Serbinë, njohja nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, anëtarësimi në Këshillin e Evropës, anëtarësimi në OSBE dhe heqja e vetos ruse në Këshillin e Sigurimit, si parakusht për anëtarësimin e Kosovës edhe në OKB”, shkroi Thaçi.

Ky status publikohej teksa Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç sqaronte në veri të Kosovës se përse zgjodhi Liqenin e Ujmanit për shkak se, sipas tij, ujëmbledhësi i hidrocentralit të ndërtuar më 1981 shfaq peshën e problemeve mes serbëve dhe shqiptarëve, për të cilat tha se shpreson se do të tejkalohen. Gjatë ndalesës në Ujman, Vuçiçi nuk harroi të përsëriste se shteti i Kosovës nuk mund t’i imponohet Serbisë.

“Gazivoda flet për betejat e rënda që i kemi me shqiptarët. Por shpresoj që do të merremi me shfrytëzimin e ujit, pasi shumica e Kosovës e merr ujin nga këtu. Kështu që duket se këto gjëra do të zgjasin edhe për një kohë të gjatë, por detyra jonë para se gjithash është që të ruajmë paqen dhe të tentojmë të afrohemi drejt gjetjes së ndonjë zgjidhjeje, edhe pse mendoj se ky është proces pa kthim, të cilën nuk do të mund ta përfundojë as kjo gjeneratë e politikanëve, e as tjetra dhe gjenerata e tretë mund ta përfundojë. Me rëndësi është që të shikojmë në të ardhmen, pasi mendoj se kufijtë do të jenë më pak të rëndësishëm kur të bëhemi pjesë e Evropës”, deklaroi Vuçiç.

Vuçiç ka komentuar edhe deklaratën e kancelares gjermane Angela Merkel për mosndryshim kufijsh në Ballkan: “Fuqia ime është minimale krahasuar me atë të Merkelit, lideres më të madhe në Evropë, por kjo nuk do të thotë se nuk mund t’i ndihmojmë popullit tonë. Ne jemi të vegjël për t’u përgjigjur kësaj pyetjeje”.
Nga qytetarët në Mitrovicë, vizita e Presidentit serb shihet si provokim, ndërsa ka edhe nga ata serbë që shpresojnë për më mirë.

“Provokuese. Për të shkuar në Ujman është provokuese, sepse me theks të veçantë ai e ka ditur se ka kërkuar Ujmanin për ta vizituar, pasi pa Ujmanin nuk do të kishim dritë në Kosovë”, thotë një qytetar kosovar.

Ndërsa një serb shprehet: “E di. Shpresoj se kjo vizitë do të jetë në funksion të paqes. Pyetje e vështirë. Nuk besoj se do të ndahet. Ne kemi jetuar të paktën 500-600 vjet së bashku. Mendoj se duhet të qëndrojmë së bashku”.
Vizita e Vuçiçit në Kosovë vazhdon edhe gjatë së dielës.

Marketing