Zëvendësministri i Mbrojtjes, Bekim Maksuti sot në Shkup e hapi kursin e orientimit për Politikën e Përbashkët Evropiane të Sigurisë dhe Mbrojtjes, si pjesë e procesit të stabilizimit dhe asocimit në Union.
Programi i trajnimit, siç informojnë nga Ministria e Mbrojtjes, është i dedikuar për vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa synon të mbështesë ndërtimin e kapaciteteve administrative kombëtare në fushën e politikës së përbashkët për siguri të BE-së.
“Republika e Maqedonisë e konsideron politikën e zgjerimit të BE-së si plotësuese ndaj politikës së sigurisë, pasi zgjerimi është dëshmuar të jetë instrumenti më i suksesshëm për vendosjen e paqes, stabilitetit, demokracisë, sundimit të ligjit dhe prosperitetit”, tha Maksuti.
Shtoi, thuhet në kumtesë, se me fokus të përbashkët dhe përpjekje të bashkërenduara, BE do të jetë më efikase dhe më e fortë, sepse sfidat e sigurisë kërkojnë veprim të koordinuar.
“Maqedonia është një shembull i suksesshëm i Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes, me transformimin e saj për një periudhë relativisht të shkurtër nga vendi shfrytëzues në operacionin e parë ushtarak të BE-së në një vend që kontribuon për paqen dhe sigurinë botërore përmes pjesëmarrjes në operacionet e udhëhequra nga NATO, BE dhe OKB”, tha zëvendësministri dhe shtoi se shteti mbetet i angazhuar në ndërtimin e urave të marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimit në rajon.
Theksoi se nisja e kësaj ngjarjeje të rëndësishme është dëshmi e angazhimit të Bashkimit Evropian në rajon dhe konfirmim i përpjekjeve eurointegruese të Maqedonisë dhe të gjithë rajonit.
“Pavarësisht të gjitha sfidave të së kaluarës, rajoni ynë ka arritur të ecë përpara në mënyrë të qëndrueshme, duke dëshmuar se perspektiva e vetme për të është ajo evropiane”, përfundoi zëvendësministri Maksuti në hapjen e trajnimit.
Maksuti, thuhet në kumtesë, falënderoi presidencën austriake me Unionin si organizator i trajnimit dhe theksoi se në sajë të angazhimit austriak, ministrat e mbrojtjes të vendeve të Ballkanit Perëndimor kohët e fundit nënshkruan një Deklaratë të Përbashkët për Bashkëpunimin në disa segmente të Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes.
Nga Republika e Maqedonisë në këtë kurs marrin pjesë përfaqësues nga Ministria e Mbrojtjes, Punëve të Jashtme dhe të Brendshme, Sekretariati për Çështje Evropiane dhe nga Drejtoria për Siguri dhe Informata të Klasifikuara. Këtij cikli të dytë të trajnimeve i parapriu një modul i detyrueshëm për mësim elektronik, dhe i njëjta në nëntor në Vjenë do të vazhdojë me modulin e tretë të avancuar.