Shfaqja e filmi “Tallja me Krishtin”, reagojnë aktorët dhe producentët shqiptar

Pavarësisht reagimeve të shumta në opinion, filmi “Tallja me Krishin” i cili është kritikuar për skenat fyese dhe nxitëse të urrejtjes ndëretnike në vend, mbrëmjen e kaluar u shfaq në Festivalin e filmit “Kinenova” në Shkup.

Marketing

Trajleri i filmit ishte publikuar kohë më parë, kurse në atë përfshihen skena të aktorëve në rolin e ish ushtarëve të UÇK-së, si vrasës të civilëve dhe përdhunues. Kjo bie ndesh me dispozitat e Rregullores të cilën Agjencia e filmit duhet të ketë parasysh kur hap konkurs dhe ndan fonde për regjinë dhe produksionet, e që janë promovimi i multikulturalizmit dhe ndërtimi i marrëdhënieve të mira ndëretnike.

Ekipi i Alsat ndoqi premierën. Publiku maqedonas i cili ndoqi shfaqjen e mbrëmshme të filmit nuk e vlerëson atë si nxitës të urrejtjes e as si fyerje ndaj nacionaliteteve tjera, por thonë se ai pasqyron një periudhë konflikti në një pjesë të Ballkanit.

“Mendoj se trilleri i filmit është zgjedhur aq keq saqë në asnjë mënyrë nuk e tregon mesazhin që filmi don ta japë si synim”.

“Nuk pashë asgjë që nxit urrejtje ndëretnike, nuk ishte temë kryesore Lufta në mes shqiptarëve të Kosovës dhe mes Maqedonisë. Ishin ngjarje historike nga lufta qytetare në Greqi, nuk ka lidhje me shqiptarët. Kishte diçka, por ishte skenë shumë e shkurtër, nuk ka asgjë me shqiptarët”.

Filmi “Tallja me Krishtin” gjatë promovimit të tij u prit me tone të ashpra edhe nga aktorë dhe producentë shqiptarë, të cilët kërkuan nga autoritetet që për të njëjtin të ketë përgjegjësi ligjore.

Në një shtet multietnik do të duhej të ketë Ligje të cilat do të ishin të kujdesshme dhe të ruanin harmoninë. A ka ligje të tilla këtu, po dyshoj. Artisti bën vlera artistike dhe bën art. Kur bën propagandë apo pamflet politik atëherë më nuk hyn te vlerat artistike”- u shpreh Luran Ahmeti, aktor.

Unë u bashkangjitem reagimeve të deritanishme, është vërtetë diçka e turpshme. Edhe përkundër recensimeve negative, ky film ka kaluar dy filtrat tjerë që nuk do të duhej t’i kishte kaluar por duke e ditur se si ka funksionuar qeveria e kaluar e dimë se si ka kaluar, d.m.th. është paraqitur dikush në telefon dhe puna është kryer”- tha Refet Abazi, aktor dhe producent.

Përveç skenave kontestuese të lartpërmendura, filmi në mënyrë kritike trajtonte edhe çështje të identitetit maqedonas dhe homoseksualizmit. Gjatë fjalimit të mbrëmshëm, regjisori i vetë filmit Jani Bojaxhi u shpreh se filmi nuk synon të paraqesë realitetin por një tregim të caktuar.

Ky film nuk merret me të vërtetën. Ky film merret me tregim. Ky film është i realizuar me pak para, nuk është film që përfshinë buxhet të lartë. I incizuar është në tre shtete: Maqedoni, Greqi dhe Francë dhe incizimi ka zgjatur rreth tetë javë”- u shpreh Jani Bojaxhi, regjisor i filmit “Tallja me Krishtin”.

Jashtë foltores, ai refuzoi të përgjigjet në pyetjet mbi kritikat e deritanishme rreth filmit duke kërkuar që vlerësimi të bëhet pasi të shihet fillimisht filmi i plotë. Reagimet e kryeministrit Zaev dhe ministrit të Kulturës mbi këtë çështje, regjisori Bojaxhi kohë më parë i cilësoi si fashiste.

Gjatë një interviste ai pati deklaruar se nuk sheh asgjë kontestuese në këtë film ndërkaq nuk i kurseu as ofendimet personale ndaj ministrit të Kulturës Asaf Ademi i cili dënoi këtë projekt dhe kërkoi përgjegjësi ndaj atyre që i kanë dhënë dritë jeshile miratimit të këtij filmi. Ish sekretari shtetëror në ministrinë e Kulturës Behixhudin Shehapi tha se derisa ai ka mbajtur këtë post në ministri nuk ka qenë në dijeni se ky film me përmbajtje të tillë po miratohet nga ana e ministirisë së Kulturës.

Mbetet e paqartë se përse regjisori, realizatorët dhe Agjencia e filmit e kanë parë të nevojshme prodhimin e një filmi me rikthimin e improvizuar të konfliktit të 2001 dhe prekjen e temave të cilat vazhdojnë të jenë të ndjeshme dhe të ngjallin reagime si ata mbi rolin e ish-UÇK-së por edhe ata mbi rolin e vetë armatës së vendit.

Marketing