Mijallkov: Partia nuk është e udhëheqësisë aktuale

Ish drejtori i shërbimit sekret, Sasho Mijallkov nuk e njeh vendimin e Komitetit Qendror të VMRO-DPMNE-së, për përjashtimin e tij nga partia. Në një reagim për portalin “press24”, Mijallkov shprehet:

Marketing

Dua t’i kujtoj se partia nuk është pronë e udhëheqësisë aktuale, ashtu siç nuk ishte e udhëheqësive të kaluara. Jam i bindur se vendimi i mbrëmshëm nuk është i drejtë, por kjo aspak nuk më gjunjëzon para ambicieve dhe qëllimeve të mia për modernizim dhe orientim djathtist të VMRO-DPMNE-së, njëjtë sikur simotrat e saja për të mbrojtur interesat e Maqedonisë në BE”

Mijallkov, pavarësisht disa tentativave të Alsat për të marr qëndrimin e tij, zgjodhi të heshtë ndaj akuzave për bashkëpunim me kryeministrin Zoran Zaev dhe vëllain e tij Vice Zaev. Mijallkov nga partia e tij akuzohet se në bashkëpunim me vëllezërit Zaev ka kërcënuar, ka bërë presione dhe ka blerë deputet të caktuar të cilët sipas opozitës më pas votuan për nismën e ndryshimeve kushtetuese. I pakapshëm për t’i komentuar akuzat për “bashkëpunim kriminal” me Mijallkov është edhe vëllai i kryeministrit Zaev, Vice Zaev.

Në një komunikim me Alsat, kryetari i Qeverisë i ka hedhur poshtë akuzat e opozitës për të dhe vëllain e tij, duke theksuar se nuk ka asgjë të vërtetë në këtë rast dhe se vëllai i tij nuk merret me politikë. Akuzat dhe masat për përjashtim nga partia, ish ministri i Shëndetësisë, Nikolla Todorov i quajti shpëtim nga sekti i Mickoskit në VMRO.

Ai ka kumtuar se është krenarë që nuk është pjesë e një formacioni anti-kombëtarë, anti-maqedonas, anti-NATO dhe BE dhe pjesë e një strukture të “udbashëve” që keqpërdorin gjithçka maqedonase. Pas zhvillimeve në VMRO, deputeti i OQM-së, Panço Minov deklaroi se largohet nga koalicioni me VMRO-DPMNE-në derisa në krye të partisë qëndron Hristijan Mickoski.

Nga ana tjetër, nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Mitko Jançev deklaroi për Alsat se largimi i tij vjen për shkak të qëndrimit ndryshe nga kreu i partisë. Jançev thotë se do ta vazhdojë betejën brenda partisë për të demokratizuar subjektin i cili sipas tij është nisur në rrugë të pakthyeshme.

Nuk kam asnjë koment për vendimin por dua vetëm të komentoj propozimin e kryetarit Hristijan Mickoski për shkarkimin tij. Komiteti Qendror si çdo tjetër vendos mbi propozimin e kryetarit të partisë. Në mëngjes fola me Nikollovskin dhe më kërkoj falje, pasi që akuzat për blerje dhe presion ndaj deputetëve nuk kanë qenë për adresën time. Shkarkimi im ka për bazë qëndrimin ndryshe nga kryetari Mickoski”- tha Mitko Jançev, ish nënkryetar i VMRO-DPMNE-së.

Qëndrim të njëjtë ka edhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Kostadin Bogdanov i cili gjithashtu u përjashtua nga partia. Bogdanov hedh poshtë çdo akuzë të bashkë partiakëve të tij për bashkëpunim me grupe që kanë bërë presione ndaj deputetëve që të votojnë për nismën e ndryshimeve kushtetuese. Ai shton se partia e ka larguar për shkak të qëndrimeve të tij kundër retorikës anti-perëndimore të VMRO-së.

Jo, e demantoj absolutisht atë akuzë. Sipas meje, katarzën e mbrëmshme e interpretoj si mashtrim të anëtarësisë dhe publikut, e posaçërisht pas ditës së premte kur i dështoi agjenda për izolimin dhe destabilizimin e vendit. Për mendimin tim, ky veprim i kryesisë vetëm sa e forcon retorikën dhe sjelljen kundër perëndimore”- theksoi Kostadin Bogdanov, ish anëtarë i KE të VMRO-DPMNE-së.

Përpos opozitës, grupi i përjashtuar nga VMRO-DPMNE-ja akuzohet edhe nga opinioni për lidhje të afërta me pushtetin. Todorov u akuzuar për shitje të interesave partiake para referendumit, kur në një tribunë në ministrinë e Jashtme, bëri thirrje për dalje në referendum. Mijallkov nga ana tjetër, spekulohet të ketë kthyer në pronësi disa biznese dhe të ketë krijuar lidhje të ngushta me biznesmenin Vice Zaev, vëllai i kryeministrit Zaev.

Afërsinë e tyre, opozita dhe opinioni e interpreton si garanci që Mijallkov mos të ndiqet penalisht për kriminale për të cilat dyshohet nga Prokuroria Speciale. Madje mediat raportuan se Mijallkovit i është kthyer pasaporta diplomatike, por Prokuroria Speciale dhe Gjykata Penale demantuan një gjë të tillë.

Marketing