Ja si i sheh LSDM amendamentet e ASH-së dhe BESËS së Kasamit?!

Në hapjen e kushtetutës Aleanca për shqiptarët do të intervenoj me dy amendamente. Arben Taravari nga kjo parti në emisionin Top Tema, tha se njëri do të jetë për preambulën, ashtu siç ka qenë në Marrëveshjen e Ohrit dhe tjetri gjuha shqipe të jetë e barabartë me atë maqedonase. Taravari tha se për këto ndryshime do të tentojnë t’i bindin deputetët tjerë, por jo edhe të kushtëzojnë shumicën për ndryshimet kushtetuese.

Marketing

“Ne në kuvend do të mundohemi të bindim deputetët e LSDM-së dhe BDI-së, të vetmit të cilët janë kundër kësaj. Për VMRO-në, mendoj se ata nuk do të mund të rehabilitohen një kohë të gjatë. Mendoj se 80-të deputetët janë stabil dhe kjo nuk është kushtëzim me çdo kusht. Ne mendojmë se tani është momenti të bëjmë ndryshime të caktuara në kushtetutë, por në frymën evropiane”, tha Arben Taravari, ASH.

Nga ana tjetër Kryetari i Lëvizjes Besa Bilall Kasami përmes një video drejtuar opinionit u bëri thirrje gjithë faktorit shqiptarë për bashkim, me qëllim që siç tha Maqedoninë ta bëjmë një shtet të barabartë edhe për shqiptarët.

“Barabarësia e plotë arrihet që nga dokumenti bazë i shtetit, e që është kushtetuta, prandaj Lëvizja Besa iu drejtua qeverisë me një kërkesë që në propozimin e saj të përfshijë edhe kërkesat që kanë të bëjnë me avancimin e të drejtave të shqiptarëve në shtet” tha Bilall Kasami, Kryetar i Lëvizjes Besa.

Nga LSDM, intervenimet e Aleancës dhe Besës, i quajnë politika ditore dhe thonë se tani nuk është momenti për to. Nga atje thonë se Procesi integrues i shtetit është për të mirën e gjithë qytetarëve pa dallim përkatësisë etnike, fetare, apo politike.

“Politikat ditore t’i lëmë anash. Ka kohë kur duhet të diskutojmë për politika ditore. Tani duhet të jemi të fokusuar në procesin integrues të shtetit drejt BE-së dhe NATOS-s tha Konstadin Konstadinov, deputet i LSDM-së.

BDI dhe Besa e Gashit, nuk do të dorëzojnë amendamente për ndryshimet kushtetuese.

Tani për tani VMRO DPMNE, mbetet në qëndrimin se nuk do të kyçen në konsultime me qeverinë për ndryshimet kushtetuese, por nga kjo parti thonë se javën e ardhshme grupi parlamentarë i tyre do të njoftoj opinionin për hapat e mëtutjeshëm mbi këtë temë.

Ndryshe pas votimit në Kuvend për nevojën për ndryshimet kushtetuese, vijon faza e dytë në të cilën priten draft-propozimet e amendamenteve. Për këtë nevojitet shumicë e thjeshtë në kuvend me 61 vota. Në fazën e fundit, në planë është miratimi i këtyre amendamenteve, për të cilët nevojitet 2/3 e votave të deputetëve. /TV21

Marketing