Personat e involvuar në vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi do të gjykohen në Arabinë Saudite, tha ministri i Jashtëm i vendit, Adel al-Jubeir, raporton Anadolu Agency (AA).
“Vrasja e Khashoggit është shndërruar në një histeri. Faktet do të dalin në shesh nëpërmjet hetimit. Ligjzbatuesit e Arabisë Saudite vazhdojnë të punojnë me homologët në Turqi”, tha Jubeir në një forum lidhur me Lindjen e Mesme në kryeqytetin e Bahreinit, Manama.
“Të involvuarit në rastin Khashoggi do të gjykohen në Arabinë Saudite”, shtoi ai, duke iu referuar propozimit që 18 personat e përfshirë në vrasjen e gazetarit saudit të gjykohen në Turqi.
Duke folur për të ardhmen e raporteve mes vendit të tij dhe Turqisë, kryediplomati saudit tha se “Turqia është shtet mik” dhe se mes dy vendeve ka investime dhe lidhje të mira tregtare.
Ndryshe, Ministria e Drejtësisë dje i dorëzoi Ministrisë së Jashtme kërkesën e përgatitur nga Prokuroria Publike e Stambollit për kthimin e 18 të dyshuarve, për t’ia përcjellë atë Arabisë Saudite.
Po ashtu, i pyetur edhe për vendimin e Gjermanisë për ndalimin e eksportimit të armëve Arabisë Saudite, Jubeir tha se vendi i tij ka kohë që e ka ndërprerë blerjen e armëve nga Gjermania.