Argjentinasi i Juventusit, Paulo Dybala, e festoi ndeshjen e tij të parë si kapiten i “Zonjës së Vjetër” duke e postuar një fotografi me bashkëlojtarin e tij, Cristiano Ronaldos, megjithatë në këtë foto ai, aksidentalisht, e zbuloi rutinën e gjuajtjeve të lira të trajnerit të tij, Massimiliano Allegri.
Qendërmbrojtësi i Juventusit, Giorgio Chiellini u lëndua gjatë stërvitjeve para ndeshjes që u zhvillua dje në Stadio Castellani, kështu që shiriti i kapitenit mbeti në krahun e Dybalas e jo në atë të Leonardo Bonuccit, transmeton Gazeta Express.
Skuadra e Massimiliano Allegrit nuk e filloi në mënyrën më të mirë ndeshjen kundër Empolit, pasi që në minutën e 28-të e morën një gol të shënuar nga Francesco Caputo. Megjithatë, dy golat e Ronaldos arritën t’ia sigurojnë trepikëshin e radhës Juventusit, që mbetet në pozitën e parë në tabelën e Serisë A.
“Asnjëherë nuk harrohet ndeshja e parë si kapiten”, ka shkruar Dybala në mbishkrimin e fotografisë së postuar në llogaritë e tij në rrjetet sociale, ku shihet argjentinasi së bashku me Ronaldon.
Megjithatë, Ronaldo dhe Dybala nuk ishin në qendër të vëmendjes nga kjo fotografi për shumë tifozë, të cilët e kishin vërejtur në prapaskenë një afishe, ku listoheshin të gjitha rutinat që lojtarët e Juventusit duhet t’i përdornin gjatë ndeshjes për gjuajtje të lira.
Në këtë listë, Allegri kishte udhëzuar lojtarët e tij se kush do të gjuante nga pozitat e ndryshme, varësisht nga vendi ku ishte bërë ndërhyrja e parregullt. Por, në këtë afishe tregoheshin edhe cilët lojtarë të Empolit do të ruheshin nga cilët lojtarët të Juventusit, dhe kush do të qëndronte në murin e lojtarëve për ta ndaluar topin. /Gazeta Express/