Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, ka pritur në selinë e BDI-së në Tetovë, Ambasadorin e Spanjës në Maqedoni, z. Emilio Lorenzo Serra.
Z. Ahmeti dhe Ambasadori Serra kanë biseduar për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës dhe ndryshimet kushtetuese si dhe për situatën në rajon.
Kryetari Ahmeti theksoi pritjet e tij që mbështetja në kuvend për procesin integrues të vendit të rritet edhe më tej gjer në përfundim të suksesshëm të procesit.
BDI do të vijojë dialogun me deputetët dhe partitë parlamentare në mënyrë që të zgjerohet mbështetja në muajt në vijim.
Ambasadori Serra vuri theksin mbi përkrahjen e Spanjës për integrimin e Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
Në takim u diskutua edhe rreth situatës në rajon dhe rrethanat aktuale gjeopolitike dhe gjeostrategjike.