Dhjetëra banorë të lagjes Teqe të Tetovës, mbrëmë kanë shprehur revoltën e tyre kundër hapjes së një bastoreje sportive në mes të lagjes. Ata u shprehën të mllefosur ndaj institucioneve që japin leje të këtilla, ndërkohë që vite me radhe nuk i përgjigjen kërkesës së tyre për hapjen e një shkolle, apo rregullim të rrugës.
“Në Teqe bëhet masakër me hapjen e kazinove bilardove e lloj lloj bizneseve, duke e ditur se Teqeja çfarë halle dhe çfarë probleme me punësimin ka. Mirëpo, këtu si duket dikush ka dorë më të madhe se sa neve, se sa banorët e Teqesë dhe duan që Teqen ta kthejnë aty ku ka qenë para 20 apo 30 vjetësh.
Shkollat i kemi afër, xhamitë i kemi afër dhe sërish hapen kësi lokale që janë të ndaluara me Ligj, si mund të jepet leje në mes të lagjes për hapje të kazinosë, unë jam në Teqe gati 20 vjet dhe kërkojmë të ndërtohet një shkollë tetëvjeçare sepse Naim Frashëri është i stërngarkuar”.
“Si taksa pagues të rregullt ndaj shtetit nuk do ndalemi këtu, dhe mendoj që do vazhdoj çështja të shkoj deri në fund. Bëj thirrje edhe për banorët e lagjeve tjera të ndërmarrin masa dhe të na bashkëngjiten”.
“Nuk ka lojë me jetën tonë, me të ardhmen tonë vetëm që të fitojnë ata për interesin e tyre personal”.
“Kërkojmë me çdo kusht që kazinotë dhe lojërat e fatit të largohen prej brendisë së qytetit”.
Banorët madje kërkojnë nga Qeveria që, ajo të aplikoj metodën që aplikoi Qeveria e Tiranës, që kazinotë dhe bastoret sportive të mbyllen të gjitha.
“Le të marrin shembull konkret Shqipërinë e cila më 31 dhjetor i thotë lamtumirë këtij lloji të thithjes së të mirave që i ka popullata në formë kështu klasike”.
“Përse nuk e bëjnë edhe politikanët dhe deputetët tanë siç e bëri në Shqipëri edi Rama”.
Ekipi i televizionit Alsat, kontaktoi edhe me drejtuesit e bastores që hapet në Teqe, nga ku drejtuesit e saj u shprehën se aty nuk hapet kazino por bastore sportive dhe e cila i ka gjitha lejet e nevojshme.