Ka shkuar në 12 numri i deputetëve që janë larguar nga koalicioni opozitar i udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja, i cili nga 51 deputetë sa kishte ka mbetur me 39.
Fillimisht nga partia ishin përjashtuar 8 deputetë të cilët mbështetën ndryshimet kushtetuese, por të pakënaqur me këtë vendim si dhe me qasjen e partisë ndaj procesit me Marrëveshjen me Greqinë, janë larguar edhe katër të tjerë.
Nga VMRO-ja për këtë kanë akuzuar partitë në pushtet se “me kërcënime e shantazhe të ulëta kanë marrë mbështetjen për marrëveshjen kapitulluese”. Por, deputetët e përjashtuar dhe ata të larguar, kanë denoncuar kërcënime të ndryshme, që sipas tyre kanë ardhur nga struktura të ndryshme. Disa prej tyre tashmë po ruhen nga policia, ndërsa kanë nisur edhe procedura gjyqësore që konfirmohet edhe nga ministrja e Drejtësisë, Renata Dskoska.
“Ata që shkruanin nekrologji dhe i ngjitnin para dyerve të LSDM-së, tani kërcënojnë deputetët e VMRO-DPMNE-së, që votuan për ndryshimet kushtetuese. Këta nuk janë individ, por një grup mirë i organizuar. Kemi dëgjuar për kërcënimet ndaj nënkryetarit të përjashtuar të VMRO-së. Këto kërcënime jo vetëm që duhet të procedohen nga institucionet, por edhe të debatohet për to në opinion, pasi krijojnë një atmosferë të keqe”, ka deklaruar Deskoska, ndërkohë organet e hetuesit kanë urdhëruar ngrirjen e pasurisë së VMRO-së, respektivisht të 69 objekteve të cilat nuk do të mundet të shiten apo jepen me qira, për shkak të dyshimeve për keqpërdorime financiare.
Për zhvillimet në VMRO, disa nga ish-anëtarët e saj akuzojnë kreun e partisë, Hristijan Mickovski se interesat shtetëror i ka vendosur mbi ato partiake, ndërsa kërkojnë mbajtjen e një kongresit të jashtëzakonshëm.
“Është e qartë se tani nuk e intereson as partia e as shteti, por se si të shpëtojë lëkurën e tij. Tani dy grupet nuk zgjedhin metoda që vetëm e vetëm ta grabisin partinë dhe ta kenë si mbulesë, apo që sërish të përfitojnë prej saj. Derisa të mos ketë një kongres urgjent për të pastruar me të gjithë elementët e dëmshëm, partia çdo ditë e më tepër dëmet do të jenë të mëdha, si për partinë, ashtu edhe për shtetin”, thotë Jove Kekenovski, ish-drejtues i lartë i VMRO-së .
Ai thekson se gjendja që është krijuar reflektohet në masë të madhe edhe në Kuvend, pasi deputetët e “padëgjueshëm” tani kanë kaluar në anën tjetër, e cila do ta ketë më lehtë për të kaluar ndryshimet kushtetuese në fazën e dytë dhe të tretë. Me këtë, sipas Kekenovskit, për shkak të përplasjeve të brendshme, VMRO-ja i bën shërbim pushtetit për realizimin e Marrëveshjes me Greqinë, të cilën e vlerëson si “kapitulluese” për vendin.
Duke komentuar zhvillimet në VMRO-DPMNE, Alajadin Demiri, njohës i çështjeve politike, thotë se në këtë parti janë duke ndodhur zhvillime të rëndësishme mes dy rrymave mbi të ardhmen e maqedonasve, njëra që mbron teorinë e ish-kryetaritNikolla Gruevski mbi prejardhjen antike të maqedonasve dhe e grupit tjetër që sipas tij e ka kuptuar këtë mashtrim të Greuvskit dhe tenton të kthehet në realitet.
“Këtu nuk është problemi vetëm te ndarja apo shkëputja e një grupit të deputetëve. Por problemi është më substancial, se çfarë lloji i maqedonase janë dhe çfarë programi duan. Si duket njeriu më i hutuar këtu është Hristijan Mickovski (kryetar i VMRO-DPMNE-së), i cili fuqimisht është duke e mbrojtur të pambrojturin Nikolla Gruevskin me antikitetin e tij dhe krimin, dhe të tjerët të cilën kanë marrë guximin të kritikojnë dhe të heqin dorë nga teoritë e Gruevskit dhe të orientohen drejt një politike apo koncepti të ri. Kjo do të jetë e dhimbshme dhe është një proces që do të zgjasë. E gjithë kjo do të krijoj një traumë të madhe në radhët e VMRO-DPMNE-së”, thotë Demiri.
VMRO-DPMNE-ja ka qeverisur në dhjetë vjetët e fundit në Maqedoni me në krye Nikolla Gruevskin, i cili tani po gjykohet në disa procese gjyqësore për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Procese po zhvillohen edhe ndaj personaliteteve tjera të larta të kësaj partie, e cila kundërshton fuqishëm Marrëveshjen me Greqinë për zgjidhjen e kontestit 27-vjeçar për emrin e shtetit./REL