Xhaferi refuzoi kërkesën e VMRO-së për transmetim të drejtpërdrejtë të debatit për ndryshimet kushtetuese

Koordinatori i VMRO–DPMNE-së, Nikolla Micevski, kërkoi nga kanali i kuvendit që të transmetojë drejtpërdrejt seancat e Komisionit kushtetues ku debatohet për amendamentet e kushtetutës. Sipas Micevskit, LSDM dhe Talat Xhaferi, në mungesë të transparencës, dëshirojnë që debati bashkë me ndryshimet të kalojnë në derë të vogël larg syve të opinionit.

Marketing

“Kjo dëshmon se po frikohen nga argumentet e opozitës dhe veprojnë në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve. I pyesim LSDM-në dhe Talat Xhaferin se pse seanca e parë e Komisionit kushtetues kur u vërtetua propozimi për hapjen e kushtetutës, u transmetua drejtpërdrejt, ndërkaq tani nuk transmetohet. Kjo është çështje me interes të lartë për qytetarët. Parlamenti ka obligim ligjor që këtë debat ta transmetojë në kanalin kuvendor”,- tha koordinatori i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski.

Reaguan nga LSDM, duke thënë se kërkesa vjen në mungesë të argumenteve në debat. Sipas partisë së Zaevit, partia anti-perëndimore e VMRO-DPMNE-së po tenton që në çdo formë të stërzgjat procesin në kuvend, i cili siguron ardhmëri për BE dhe NATO.

“I gjithë procesi për ndryshimet kushtetuese është i hapur dhe transparent, qytetarët dinë gjithçka. Ata janë të njoftuar me detajet e marrëveshjes nga fillimi si dhe me përmbajtjen e amendamenteve dhe përdorimit të tyre. Të gjitha hapat në kuvend janë publike dhe transparente. Mediat janë prezente në sallë dhe opinioni po përcjell gjithë procesin”,- thuhet nga LSDM.

Sipas LSDM-së, kryeparlamentari, Talat Xhaferi, ka bërë me dije se transmetimi i drejtpërdrejtë nuk është i mundur në mungesë të kapaciteteve teknike. Në rast se kërkesa për transmetim nuk pranohet, koordinatori i VMRO-së, Micevski, thotë se nuk do heqin dorë nga debati për të nxjerrë në pah siç tha dëmin që mund të sjellin amendamentet qeveritare.

Marketing