Thirrjet antishqiptare në Bularat, reagon Shoqata Çamëria

Shoqata Çamëria ka reaguar pas thirrjeve nacionaliste të grekëve gjatë ceremonisë së varrimit të Kostandino Kacifas në Bularat të Gjirokastrës.

Marketing

Përmes një deklarate, Shoqata Çamëria ngre pyetjen se çfarë do ndodhte nëse në Greqi do brohorasin shqiptarët se “Çamëria është Shqipëri”?. Shoqata kërkon gjithashtu nga shteti dhe politika të reagojnë ashpër përballë një rasti të paprecedent të rrezikimit të integritetit territorial të Shqipërisë.

Reagimi i Shoqatës Çamëria:

“Po sikur të marrim flamujtë shqiptarë dhe të shkojmë në Çamëri e të brohorasim të vërtetën “Çamëria është Shqipëri”? Qendrimi apatrit i të gjithë aparaturës shtetërore është shenja më e qartë se shtetarët shqiptarë s’kanë dinjitet, burrëri, aftësi e mbi të gjitha nuk kanë atdhe. Lejimi i shpërthimit të “vorioepirotizmit” brenda territorit shqiptar, ku policia dhe diplomacia i bën sehir, vërteton atë që kemi thënë përherë: çdo cedim ndaj Greqisë, çdo varrezë që lejohet, sa herë heshtet për çështjen çame, hap orekset e sëmura të nacionalizmit grek. Shtetarët shqiptarë, po u ka mbetur më e vogla cilësi, sot duhet të reagojnë ashpër, përballë një rasti të paprecedent të rrezikimit të integritetit territorial të Shqipërisë. Ndaj çdo deklarate qesharake të këtyre apatridëve që duan të relativizojnë ngjarjen, ne i pyesim: Po sikur të marrim flamujtë shqiptarë dhe të shkojmë në Çamëri e të brohorasim të vërtetën “Çamëria është Shqipëri”? Do na mbështesni? Apo do i bëni fresk “vorioepirit” të injorancës suaj?”