Qytetarët të cilët për momentin jetojnë në Paris, rekomandohet që gjatë ditës së nesërme të mos dalin në vende publike për shkak të protestave të paralajmëruara, informoi Ambasada e Maqedonisë në Paris. Nga atje porosisin që qytetarët të shmangin zonën qendrore në sheshet Konkord dhe Bastil, Porta Triumfale dhe Kuvendi Nacional. TV21 e pyeti ambasadorin e Francës në Maqedoni nëse është në rrezik siguria e qytetarëve.
“Informacionet e Qeverisë së Francës janë se mund të ketë trazira të mëdha. Mjaftojnë disa veprime ekstreme që të shkaktojnë dëme të mëdha”, tha Kristian Timonie, Ambasador i Francës në Maqedoni.
Duke marrë parasysh faktin se në vendin tonë shumë shpesh organizohen protesta, e pyetëm ambasadorin nëse i përkrah protestat në Maqedoni.
“Ambasadorët mund të mbështesin vetëm manifestimet e organizuara nga Qeveria”, u shpreh Kristian Timonie, Ambasador i Francës në Maqedoni.
Periudhën e kaluar, Parisi e tërhoqi vëmendjen e gjithë botës dhe mediumeve për shkak të protestave të shpeshta. Fillimisht, u organizuan protesta kundër rritjes së çmimit të derivateve, për të vazhduar me protestat e studentëve, ndërsa nesër pritet që të ketë më shumë veprime ekstreme krahasuar me veprimet e periudhës së kaluar. Janë arrestuar rreth 400 persona, janë lënduar 133, prej të cilëve 23 janë pjesëtarë të forcave policore.
Policia përdori gaz lotsjellës dhe topat e ujit për t’i larguar protestuesit. Pjesëmarrësit në protesta e quajtën veten “jelekë të verdhë” sipas ngjyrës së pajisjeve të vozitësve që i mbajnë në situata të rrezikshme. Për shkak të pakënaqësisë së qytetarëve, E Majta e Francës, të hënën do të dorëzojë kërkesë për mocion mosbesimi të Qeverisë së Makronit në Dhomën e Ulët të Kuvendit francez. Ambasadori Timonie tha se ky është akt i demokracisë, por nuk beson se do të arrijë sukses për shkak të shumicës së deputetëve të partisë së presidentit Makron.