AFP: Shqipëria ndalon bastet më 1 janar 2019

Për një të keqe të madhe, Shqipëria ka një zgjidhje të madhe, pasi lojërat e fatit, burim të ardhurash për krimin e organizuar dhe drama për shumë familje, do të ndalohen duke filluar nga 1 janari. Ky ligj i shoqëruar me polemika, do të sjellë mbylljen e 4 300 pikave të basteve, që sot janë të pranishme në çdo cep rrugësh.

Marketing

”Në një vend me më shumë se 2,8 milionë banorë, ka afërsisht një pikë basti për 670 persona, një raport shumë i lartë”, thotë ekonomisti Klodian Tomorri, madje shumë më i lartë se sa në vendet fqinje apo vendet e zhvilluara perëndimore, transmeton atsh.

Ligji ndalon gjithashtu edhe bastet në internet dhe parashikon kufizime për kazinotë, disa prej të cilave ndodhen pranë shkollave. Vetëm ato që ndodhen në hotelet me pesë yje në zonat turistike që kanë licencë mund të qëndrojnë hapur. Për Artën, 31 vjeçe, nënë e dy fëmijëve, vendimi është i mirëpritur, ndonëse po vjen shumë vonë për të shpëtuar familjen e saj nga drama.

Korrikun e kaluar, bashkëshorti i saj u hodh nga një godinë pasi humbi një bast në ndeshjen e futbollit Francë-Belgjikë, të fituar nga Franca. “Ai vuri bast për Belgjikën, por në fakt ajo që morëm ishte mjerimi”, thotë Arta, me lotët në sy, tashmë e vetme për të rritur dy fëmijët e saj me një ndihmë sociale mujore prej 100 eurosh.
Sipas një studimi nga Universiteti i Tiranës, një bastexhi në katër ka tentuar të paktën një herë të vetëvritet dhe 70% kanë probleme psikologjike.

Qeveria ka njoftuar krijimin e qendrave të ndihmës për ish-bastexhinjtë, por hapja e tyre që në 1 janar duket e vështirë.

”Sipas shifrave zyrtare, shqiptarët shpenzojnë mes 140 dhe 150 milionë euro në vit në bastet sportive. Por, nëse llogariten edhe bastet e jashtëligjshme, kjo shifër arrin në 700 milionë euro”, vlerëson qeveria. Për kryeministrin socialist, Edi Rama, qëllimi është që të ndalohet krimi i organizuar nga realizimi i të ardhurave nëpërmjet kësaj industrie që e përdorin edhe për pastrimin e parave.

“Kompanitë e basteve kanë filluar që tani të transferojnë bizneset e tyre në Maqedoni, në Malin e Zi dhe në Kosovë për të vazhduar të qetë punën e tyre”, garanton Artan Shyti, president i federatës së kompanive shqiptare të lojërave të fatit. Sipas atij, hyrja në fuqi e këtij ligji do të lërë pa punë rreth 8 000 persona.