BE përgatitet për një 2019-të të vështirë

Nga Andrew Hammond

Marketing

Ndërsa po kalon nga viti 2018 në 2019-ën, Bashkimi Evropian mund të përballet me një vit tjetër të vështirë. “Retë” e stuhisë po grumbullohen jo vetëm nga fundloja e Brexit, por edhe nga qeveria euroskeptike e Italisë, si dhe nga vala populiste në Evropën Lindore, që ka përfshirë Hungarinë dhe Poloninë.

Kontrasti me vetëm pak më shumë se 12 muaj më parë është i dukshëm, kur në shtatorin e vitit 2017 presidenti i Komisionit Europian Zhan Klod Junker, pohoi se “era ishte kthyer në favor të Evropës”. Pastaj, pas një 2016 të keqe për gjithë kontinentin, jo më pak me referendumin e Mbretërisë së Bashkuar për daljen nga BE-ja, Brukseli ishte optimist pas një vale lajmesh pozitive politike dhe ekonomike.

Jo vetëm që ekonomitë e eurozonës shënuan rritje të ndjeshme, por edhe votuesit në Francë dhe Hollandë kishin refuzuar populistët e ekstremit të djathtë, duke ndryshyuar situatën politike. Megjithatë, Junkeri paralajmëroi me të drejtë në fjalën e tij, se “dritarja e lajmeve të mira, nuk do të qëndrojë e hapur përgjithmonë”.

Tani në fundin e vitit 2018, paralajmërimi i Junkerit është nëse i qartë. Qershorin e shkuar, ai u detyrua të pranonte se “brishtësia e BE-së po rritet, dhe të çarat po bëhen më të mëdha”, teksa samiti i presidentëve dhe kryeministrave të Këshillit Evropian në verë, u përpoq të arrinte një marrëveshje mbi krizën e emigrantëve, që kërcënoi rëndë të ardhmen politike të kancelares gjermane Angela Merkel.

Marrëveshja e brishtë, pa pastaj një numër vendesh të BE-së që të binin dakord – në baza vullnetare – të pranojnë emigrantët e shpëtuar në Detin Mesdhe. Megjithatë, nuk u arrit asnjë marrëveshje për kuotat e refugjatëve, me disa shtete që pretendojnë se kjo duhet të jetë një përgjegjësi e detyrueshme e BE-së.

Kjo nxorri në pah ndarjet, me Gjermaninë dhe Francën që ushtruan presion për një rrugë mirëkuptimi për të tejkaluar ngërçin, ndërsa vendet e tjera si Hungaria dhe Italia – të drejtuara nga udhëheqës populistë – u bënë më skeptike. Kjo e fundit u pasqyrua në Hungari në qershor, kur parlamenti i vendit miratoi ligje për të kriminalizuar çdo ofertë individuale ose grupore për të ndihmuar azil-kërkuesit, një akt që pasoi rizgjedhjen e kryeministrit të vendit Viktor Orban në zgjedhjet parlamentare të muajit prill.

Këto tensione të vazhdueshme evropiane mbi azilin dhe imigracionin, do të përkojnë në vitin 2019 me përfundimin e planifikuar të negociatave 2-vjeçare të Nenit 50 të Brexit. Me procesin e daljes, që i ka kushtuar shumë kohë Londrës dhe Brukselit në vitet 2017-2018, javët e para të Vitit të Ri do të jenë vendimtare mbi drejtimin që do të marrë drama politike, përfshirë edhe faktin nëse do të bihet apo jo dakord mbi marrëveshjen e tërheqjes.

Përtej Brexit, retë e stuhisë të tubuara në mbarë kontinentin, nxjerrin në pah brishtësinë e situatës politike në Bashkimin Evropian, sikurse dëshmohet jo vetëm nga zgjedhja e qeverisë euroskeptike në Itali më herët gjarë këtij viti; por edhe dobësimin e qeverisë së Merkelit në Gjermani; dhe rritjen e populizmit në Evropën Lindore.

Duke i përmbledhur këto sfida, presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, ka vënë në dukje se mjedisi i rrezikshëm me të cilin po përballet tani BE-ja, është ndoshta “më i rrezikshmi se kurrë më parë”, me 3 probleme thelbësore “të cilat nuk kanë ndodhur më parë, ose të paktën jo në një shkallë të tillë”.

Sipas Tusk, 2 kërcënimet e para lidhen me forcimin e ndjenjave anti-BE, nacionaliste në të gjithë kontinentin, plus “gjendjen mendore të elitave pro-evropiane”, të cilat Tusk druhet se janë tepër të nënshtruara ndaj “argumenteve populiste, dhe dyshuese ndaj vlerave themelore, siç është demokracia liberale”.

Sikurse e ilustron Brexit nga perspektiva e Tusk, problemi nuk është aspak i kufizuar në Mbretërinë e Bashkuar. Në fakt, Emanuel Makron, e pranoi më herët gjatë këtij viti se edhe Franca, një nga dy “motorët” tradicionale të integrimit në BE krahas Gjermanisë, ndoshta do të votojë për të dalë nga BE, nëse do të gjendet përballë një referendumi të ngjashëm me atë në Britaninë e Madhe në vitin 2016.

Dhe sikur të mos mjaftonon këto probleme, kërcënimi i tretë i cituar nga Tusk, është ai që e quan si realitetin e ri gjeopolitik, që ka dëshmuar një rritje të fortë të Rusisë dhe destabilitet në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, dhe e cila ka bërë që problemet e emigrimit të ndikojnë në Evropë.

Dhe ajo që e përshkallëzon më tej situatën, është pasiguria që vjen nga Uashingtoni me Donald Trumpin, që më herët ka bërë thirrje për më shumë Brexit nëpër kontinentin evropian. Ndërsa Trump është kritikuar gjerësisht në mbarë Evropën, mesazhi i tij është pëlqyer në disa qeveri.

Për shembull, kryeministri i ri italian, Xhuzepe Konte, është shfaqur si mbështetësi i tij më i fortë në Evropën Perëndimore. Kjo prirje politike populiste, reflektohet në çështje kyçe si Rusia dhe emigracioni, me Konten që pohon se të dyja “qeveritë në Romë dhe Uashington, përfaqësojnë ndryshime, ata u zgjodhën…për të ndryshuar statuskuonë”.

Ndërsa qeveria italiane, ka mbajtur deri më tani një marrëdhënie korrekte me Brukselin, kreu i Lidhjes Mateo Salvini thotë se dëshiron që vendi të largohet nga BE, ndërsa partneri i koalicionit, Pesë Yjet, ka bërë thirrje për një referendum, nëse Italia duhet të mbetet ose jo pjesë e eurozonës.

Në përgjithësi, ndërsa disa në Bruksel ndjenin në vitin 2017 se dallga euroskeptike kishte e kaluar kulmin e saj, retë e stuhisë po mblidhen sërish teksa po përfundon 2018-a. Vendimet në vitin 2019, do të ndihmojnë në përcaktimin e karakterit afatgjatë politik dhe ekonomik të BE-së, përballë sfidave të brendshme dhe të jashtme të gjera, përfshirë Brexit.

“Gulf News” – Bota.al