Opozita e bashkuar në Shqipëri sot proteston përpara Kryeministrisë në Tiranë. Kjo është protesta e tyre e pestë në një muaj me kërkesën për dorëheqje të kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme.
Në protestën që nis në ora 11:00, kryetari i PD-së Lulzim Basha, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi drejtues dhe funksionarë të tjerë nga opozita do të jenë në shesh vetëm në rolin e dëgjuesve ndërsa fjalën do ta kenë qytetarët.
Ndërkombëtarët i kanë kërkuar Lulzim Bashës që të tërhiqet dhe të shmangë dhunën në protestën e sotme. Megjithatë, Basha reagoi duke thënë se nuk do të dëgjojë më ndërkombëtarët, por vetëm qytetarët shqiptarë.
Në anën tjetër, edhe policia ka bërë përgatitjet e saj. Kryeministria është rrethuar me rrjeta teli, ndërsa do të jenë në dispozicion rreth 1300 oficerë policie.
Po ashtu, janë kontrolluar të gjitha kamerat e sigurisë në mënyrë që të kapin çdo person që kryen ndonjë akt dhune.