Në Pejë, në pjesën e Çarshisë së Gjatë, por edhe në Gjakovë e gjetiu, ende ndodhet ndonjë qeleshepunues, e që në popull njihen me emrin punues i plisave.
Plisi është simbol karakteristik i veshjes shqiptare. Me ngjyrën e bardhë, që reflekton rrezen e diellit, me leshin që pi djersën, ai edhe e mbron kokën e atij që e bartë.
Me formën si kupolë verës të mbron nga temperaturat e larta, kurse dimrit nga acari. Gjatë historisë te shumë shqiptarë plisi ishte shndërruar në kult.
Punimi plisit është ndër zejet më të vjetra në Kosovë, sepse plisi është bajt, vazhdon të bahet dhe do të bahet edhe në të ardhmen nga populli ynë, i cili edhe ashtu dallohet nga popujt tjerë edhe në bazë të mbajtjes së plisit dhe të veshjes kombëtare.
Plisi është pjesë karakteristike e veshjes që nga koha ilire. Ai është simbol dhe karakteristikë e veshjes shqiptare.
Por, plisin tashmë modernizimi e ka nxjerrë jashtë përdorimit. Nuk blejnë të rinjtë më plis. Janë vetëm disa të moshuar që e blejnë, si dhe një pjesë e merr për qejf, e të cilët e përdorin në ndonjë aheng, koncert, festival, program televiziv, e sidomos ata që jetojnë në diasporë…
Lënda e parë bazë për punimin e plisit është leshi, i cili përpunohet me ujë të vakët, sapun dhe sodë të teshave. Llojet e leshit që përdoren janë: i qengjit dhe i deles. Leshi përcakton cilësinë, ngjyrën dhe kualitetin e plisit.
Sidoqoftë, në kohën e tashme paksa me vështirësi gjendet në treg leshi i deleve dhe i qengjit, ngase blegtoria sa vjen e shuhet në Kosovë.
Për fund
Plisi në të kaluarën është përdor më shumë se sot, e përdornin djem të rinj, burra me moshë mesatare dhe të moshuarit, ndërsa teknikat dhe mënyra e punimit të plisit nuk kanë ndryshuar shumë, vetëm se në të kaluarën janë përdorur më shumë mjete të cilat sot i zëvendësojnë mjetet industriale./kosovarja