Ndërtimi i xhamisë së re shkakton përplasje mes qytetarëve në Lipjan

Xhamia njëshekullore e fshatit Llugaxhi të Lipjanit dhe xhamia e re që ka nisur të ndërtohet, i ka ndarë më dysh banorët.

Marketing

Megjithëse problemet për të njëjtën çështje në këtë fshat me rreth 1500 banorë, thuhet të jenë disa vjeçare, tensionet kanë filluar të rriten ditët e fundit, tash kur janë vënë themelet e xhamisë së re, raporton KTV.

Një pjesë e banorëve nuk duan xhami tjetër në fshat pos xhamisë së Llugaxhisë, prandaj kundërshtimi i tyre është rritur.

Kundër një objekti tjetër është edhe këshilltari komunal i Lipjanit, Selatin Retkoceri.

Ai thotë se situata mund të eskalojë derisa bën të ditur se po kërcënohet vazhdimisht, e këtë të hënë e pati kërcënimin e fundit.

Sapo Retkoceri përfundoi deklarimin e tij, në oborrin e xhamisë ai u përball me kërcënimet e disa banorëve që janë për ndërtimin e xhamisë së re.

Ata që ndërtimin e kësaj xhamie e nisën me mjete vetjake, thonë se lejen do ta marrin shpejt, sepse janë 500 nënshkrime të banorëve që janë pajtuar për ndërtimin e këtij objekti fetar.

Banorët mohojnë se ka tensione, ani pse ishin të njëjtit që patën përplasje verbale me Selatin Retkocerin.

Por, Arsim Reçica po e kundërshton fuqishëm këtë ndërtim, sepse është shumë afër shtëpisë së tij.

Ai për këtë ka thirrur edhe policinë edhe inspektoratin disa herë, madje thotë se po ndihet i kërcënuar nga fqinjët e tij.

Televizioni ka pyetur edhe Komunën e Lipjanit për këtë çështje.

Zëdhënësi i komunës, Diamant Bytyçi, ka thënë se lokacioni është vendosur në pajtueshmëri me shumicën e banorëve.

Bytyçi thotë se janë në pritje të vendimit të MAPL-së për t’u vlerësuar ligjërisht ky vendim i komunës, mirëpo shton se nëse ka prapë probleme ndërmjet banorëve, atëherë ekziston mundësia e rishqyrtimit të këtij vendimi që të mos lejojnë të bëhet shkak i ndonjë konflikti në mesin e banorëve.

Marketing