Mustafa: Veseli po tenton t’i mbulojë dështimet, Tribunali s’themelohet nga Kosova

Lideri i LDK’së, Isa Mustafa, ka thënë se ideja e Kadri Veselit për të themeluar një Trubunal Ndërkombëtar për dënimin e krimeve të luftës është përpjekje e Shefit të PDK’së për t’i mbuluar dështimet e Qeverisë.

Marketing

Ai ka thënë se Kosova s’ka fuqi të themelojë një mekanizëm të tillë të drejtësisë meqë kjo është kompetencë e institucioneve ndërkombëtare. “Tribunalin s’mund ta themelojë Kosova. Mund ta themelojnë Kombet e Bashkuara, Këshilli i Sigurimit ose BE’ja”, ka thënë Mustafa, në një konferencë për media, pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të LDK’së.

Megjithëkëtë, ai ka thënë se LDK do të përkrahë çfarëdo nisme që nxjerr para drejtësisë kriminelët serbë që kanë kryer krime në Kosovë. Mustafa ka thënë se Veseli po mundohet të mbulojë mosfunksionimin e institucioneve me themelimin e një Tribunali.

“Këto iniciativa është dashur të nxiten më herët. Më duken më tepër si mbulesë se s’po funksionon asgjë në Kosovë”, ka thënë ai.

Shefi i Partisë më të madhe opozitare ka thënë se edhe Parlamenti i Kosovës po dështon t’i kryejë punët shkaku i koalicionit aktual qeverisës. Për këtë arsye, ai ka thënë se po punojnë me Vetëvendosjen dhe PSD’në për ta rrëzuar Qeverinë e koalicionit PDK-AAK.

“Kuvendi s’po funksionon. Kanë mbetur shumë çështje të para një viti, shumë të tjera s’po mund të hyjnë në procedurë. Jemi duke bërë përpjekje të korrdinohemi me VV’në, e bëjmë edhe me PSD’në për të shpallur mosbesimin ndaj Qeverisë ekzistuese. Nuk kemi arritur ende t’i bëjmë këto vota. Na nevojitet edhe dikush nga pozita të na bashkëngjitet”, ka thënë Mustafa.

Edhe në këtë takim, Mustafa s’ka treguar nëse do t’i hyjë garës sërish për Shef të partisë. Vetëm ka thënë se gjithçka do të jetë transparente. “Kandidimi bëhet në Kuvendin e LDK’së. Do të jetë transparent para mediave dhe publikut”, ka shtuar ai. “Do të thotë nuk është diskutuar për atë”, është përgjigjur Mustafa kur i është përsëritur pyetja e njëjtë nëse do të jetë kandidat për Shef të LDK’së.

Marketing