Kuvendi miratoi ligjet e sferës së sigurisë

Pushteti dhe opozita u bënë bashkë për të kaluar ligjet e sferës së sigurisë, me polemika minimale, që nuk janë të zakonshme për Parlamentin. Edhe pushteti edhe opozita i përshëndetën ligjet për formimin e Agjencisë për Siguri Kombëtare dhe për Trupin Koordinues për Siguri Kombëtare, me të cilat siguruan se do të krijohet ambient i sigurt për qytetarët dhe më asnjëherë nuk do të keqpërdoren mjetet e përgjimit.

Marketing

>
Kryetari i Komisionit për Mbikqyrjen e Punës së Agjencisë Kombëtare për Siguri Emill Dimitriev u lavdërua se shumica ia ka pranuar mbi 60 amendamente VMRO së, me të cilat sipas tij, janë rregulluar shumë çështje, përfshirë edhe punësimin e ardhshëm të punonjësve në DSK në e tanishme që nuk do të arrijnë të kalojnë testin e sigurisë.

Dimitriev mbronte faktin se të punësuarit në DSK nuk do të dëbohen nga puna, sikurse pati paralajmëruar ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski pavarësisht faktit se do të dështojnë në test. Ai insiston se nuk mund të fillojnë reformat duke dëbuar këta njerëz që mund të punojnë diku tjetër, sipas profesionit të tyre. I pyetur nëse këta njerëz mund të jenë të rrezikshëm për shtetin kur vijnë prej një ambienti ku kanë qarkulluar informacione të klasifikuara, të ndjeshme, Dimitriev insiston se jo.

Emill DImitriev, deputet i VMRO-së

“Nëse ndonjë kandidat nuk arrin të kalojë testin e sigurisë, nuk do të thotë se ai ka shkelur ligjet e tjera dhe se nuk është i denjë për të ushtruar ndonjë funksion tjetër në ndonjë institucion tjetër. Në Maqedoni ekzistojnë njerëz në funksione që nuk kanë certifikata sigurie, dhe nuk ka logjike që kjo të jetë pengesë që të ekzistoni, ose punoni në drejtori, dhe kjo të vlejë vetëm për të punësuarit e thjeshtë e jo edhe për funksionarët. Këta njerëz mund të punojnë në institucione ku nuk kërkohen çertifikatë sigurie, ku nuk kanë punë me informata të klasifikuara. Mendoj se Maqedonia pas 30 vitesh me një mori reformash ku është koha të merr përgjegjësi për njerëzi që i kanë mbajtur këto institucione në shpinë, tu japë shans për ekzistencë. Si punuan gjatë këtyre viteve këta persona. Çfarë i pengoi eprorët e tyre që i pastrojnë deri më tani”

Deputetja e LSDM-së Frosina Remenski, edhe sot kishte kundërshtime për ligjet dhe kërkonte edhe më shumë precizime.

Frosina Remenski, deputete e LSDM-së

“Mbetën shumë pyetje që nuk iu dha përgjigje, e që janë parakusht për realizim të tërësishëm të procesit të reformave. Këto pyetje lënë disa pikëpyetje dhe dyshime për gatishmërinë e vërtetë për reforma në sferën e sigurisë. Po të kishim përgjigje e pyetjeve se kush do ti reformojë reformatorët, ndoshta do të ishim të sigurtë edhe për besueshmërinë e gjithë procesit reformues”

I pyetur për kundërshtimet dhe numrin e madh të amendamenteve të deputetes Frosina Remenski, deputeti i LSDM-së Hari Llokvenec, thotë se atë e gëzon fakti që ka debat të tillë brenda partisë së tij, pasi ky është përfytyrim i demokracisë.

Hari Llokvenec, LSDM

“Në këtë ligj e dhanë nënshkrimin dy nënkryetarët e LSDM-së, a nuk mendoni se ky është kulmi i demokracisë. Për herë të parë në historinë e Maqedonisë? Mendimet ndryshe në atmosferë demokratike janë diçka që të gjithë duhet ti përkrahim…Konsultimi i gjerë nëpërmjet debateve, ekspertëve dhe OJQ-ve dhe ndërkombëtarëve dëshmon se qasja ndaj këtij ligji ka qenë e drejtë dhe sjellja e këtij ligji në atmosferë konsenzuale do të sjellë shumë përfitime”

Llokvenec u lavdërua se ligjet u sollën në bashkëpunim me opozitën dhe faktorin ndërkombëtar dhe siguroi se garantohen të drejtat e njeriut dhe privatësia, dhe krijohen parakushte për mekanizëm të fortë për luftim të krimit të organizuar, terrorizmit, kërcënimeve globale nga aspekti i sigurisë. Ndryshim shtesë në ligj është edhe se të gjithë të punësuarit të cilët do të refuzojnë të bëjnë testin e poligrafit, do të dëbohen nga puna me automatizëm.