Si problem kryesor me të cilin përballen gazetarët në shtet dhe që e pengon lirinë e shprehjes është mosndëshkimi i rasteve të sulmeve ndaj gazetarëve, theksoi në fjalimin e tij në panelin për Ballkanin Perëndimor, me të cilin ishte hapur Konferenca globale për liri mediatike në Londër kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë Mlladen Çadikovski.
“Ky është problem i cili po vazhdon një kohë të gjatë dhe frikohemi se mundet vetëm të nxisë sulme të mëtutjeshme ndaj kolegëve tanë”, tha Çadikovski duke përkujtuar sulmin e para pak kohësh ndaj ekipit të gazetarëve të TV 21 në Haraçinë, kur prokuroria nuk arriti të gjejë shkak që të ngre hetim.
Çadikovski foli edhe për moszbatimin e reformave mediatike në shtet.
“Një pjesë e proceseve më të rëndësishme siç janë zgjedhja anëtarëve të Këshillit të ri të Rregullatorit Medial dhe Këshillit Programor të servisit radiodifuziv publik ende janë të ngatërruara në Parlament, ndërsa ato paraqesin dy parakushte kryesore për reformimin e këtyre dy institucioneve”, tha ai.
Çadikovski foli edhe për ndërprerjen e lidhjeve korruptuese mes partive politike dhe pronarëve mediatikë si parakusht për pavarësi më të madhe redaktuese, politike dhe financiare të medieve. Sipas tij, pushteti paraprak përmes shpenzimit të mjeteve të mëdha nga buxheti i shtetit në mediet private ka arritur që ta blejë përzemërsinë e tyre dhe mediat i ka lënë në funksion të propagandës, ndërsa kjo ka sjellë deri në censurë dhe autocensurë te gazetarët.
“Për momentin kemi nivel të caktuar të lirisë së shprehjes ku secili flet lirisht, por duhet të theksoj se megjithatë pavarësia e medieve ende gjendet nën pikëpyetje për shkak të faktit se kemi treg të vogël mediatik korruptues. Në një shtet me dy milionë banorë, në treg funksionojnë rreth 150 radiodifuzerë, më pak se 10 media të shtypura dhe qindra onlajn media. Të gjithë këto medie funksionojnë në tregun mediatik i cili nuk vlen më shumë se 25 milionë euro në nivel vjetor. Në një mjedis të tillë thjeshtë është e pamundur që të flitet për qëndrueshmërinë dhe lirinë e medieve”, theksoi Çadikovski në Konferencën globale për liri mediatike në Londër.