Shqiptari i Zvicrës zgjedh Kosovën për ta përfaqësuar në Olimpiadën ‘Tokyo 2020’

Sami Morina ka vendosur të përfaqësojë Kosovën në sportin e triatlonit.

Marketing

Morina, që deri më tani ka marrë pjesë në gara të ndryshme në shtetin zviceran, tani e tutje do të përfaqësojë Kosovën në gara ndërkombëtare.

Federata e Triatlonit të Kosovës është formuar muaj më parë.

Morina, i cili ndodhet në Kosovë, sot vizitoi Komitetin Olimpik të Kosovës, ku u prit nga presidenti Besim Hasani dhe nënpresidenti Gazmend Maxhuni.

Presidenti Hasani përgëzoi Morinën për vendimin e marrë, duke i uruar suksese në garat ndërkombëtare.

Vetë Morina u shpreh optimist që do të garojë për të fituar normën Olimpike Tokio 2020, për çka presidenti Hasani shprehu gatishmërinë për hulumtimin e mundësive për ta ndihmuar.