Miratohet ligji për arsimin fillor në Kuvend

Propozim ligji për arsim fillor dhe mësimdhënës në shkollat fillore dhe të mesme mori dritë jeshile nga shumica e deputetëve në Kuvend. Ligji i ri u miratua me 58 vota për, asnjë kundër dhe 18 të përmbajtur. Ministri I Arsimit, Arbër Ademi edhe një herë përsëriti se ligji në fjalë ka në fokus ngritjen e cilësisë në arsim, përfshirjen e të gjithë nxënësve në mësim, posaçërisht të fëmijëve me aftësi të kufizuara. Ademi shtoi se Ligji për mësimdhënësit dhe bashkëpunëtorët profesional ka rol të veçantë sepse do të sigurojë motivim më të madh për punë për punonjësit në arsim duke ju dhënë mundësi për avancim karriere në përputhje me stazhin dhe arritjet në vendin e punës.

Marketing

Ky propozim ligj përmirëson dukshëm cilësinë e mësimdhënies dhe në përgjithësi të procesit edukativo arsimor në përforcimin e vlerave kushtetuese në arsim duke siguruar mundësi të reja për nxënësit, që në fokus kanë nxënësit me nevoja të posaçme arsimore. Po ashtu, parashihen risi edhe sa i përket organizimit të nxënësve, pjesëmarrjes së tyre pro-aktive në krijimin e politikave në shkollat në të cilat janë të rregjistruara dhe në të cilat ndjekin procesin edukativo arsimor- deklaroi Arbër Ademi, ministër i Arsimit

Miratimi i ligjit të ri për arsim fillor nuk kaloi pa kritika nga opozita. Vllatko Gjorçev nënvizoi se shkollat në vend po mbeten pa nxënës për shkak të shpërnguljes në mënyrë masive të shumë familjeve si rezultat i gjendjes së rëndë ekonomike.

Kemi situatë ku për shkak të shpërnguljeve të mëdha, ekzodit të paparë në Maqedoni, për shkak të politikave të këqija të Zoran Zaevit, politikat e këqija ekonomike të Qeverisë po shpërngulen familje të tëra. Prandaj, kemi situatë ku shkolla periferike duhet të mbyllen. Gjendje të këtillë kemi edhe në Maqedoninë lindore edhe atë perëndimore. Gjendje të këtillë kemi në rajonin e Likovës, Pollogur e shumë të tjera- tha Vlladimir Gjorçev, VMRO-DPMNE,

Mes tjerash, Ligji i ri për arsim fillor parasheh një klasë do të formohet nga 20 deri 30 nxënës, ndërsa paralelja e kombinuar do të numërojë maksimum 10 nxënës. Nxënësit do të mbështeten sa i përket orientimit profesional ndërsa do të përmirësohet edhe cilësia e ushqimit në shkolla. Gjithashtu, ky propozim ligj parashikon orët e edukatës fizike ti realizojnë mësimdhënësit profesional. Do tu jepet mbështetje financiare nxënësve për pjesëmarrje në gara të ndryshme ndërkombëtare. Më tej, ligji vë në fokus parimet e mos diskriminimit ndërsa parasheh edhe organizimin dhe realizimin e arsimit fillor në institucionet shëndetësore dhe në kushte shtëpiake për nxënësit që trajtohen më gjatë se tre javë në shtëpi apo në spital. Zgjidhja e re ligjore nuk parashikon reduktimin e numrit të ditëve të mësimit, sepse gjendja e tanishme tregon se nxënësit në vendin tonë deri në moshën 14-vjeçare kanë mbi 900 orë mësimore më pak së sa moshatarët e tyre të shteteve anëtare të Organizatës për bashkëpunim ekonomik dhe zhvillim.