Nga shpërthimi i një bombe të vendosur afër rrugës, sot jetën e humbën 32 persona të cilët ndodheshin në një autobus, në rajonin afgan Farah, në pjesën perëndimore të vendit.
Policia kumtoi se në mesin e të vdekurve ka fëmijë, dhe se gjatë sulmit janë lënduar 15 persona. Autobusi ka qarkulluar në linjën Herat – Kandahar. Në atë rajon, talebanët shpesh vendosin bomba në rrugë, kurse cak i tyre janë forcat qeveritare.
Por civilët në Afganistan shpesh janë viktima jo vetë të talebanëve. Misioni i KB-së në vend dje kumtoi se në atë shtet më shumë civilë kanë humbur jetën nga forcat afgane dhe ndërkombëtare se sa nga talebanët dhe grupe të tjera militante në gjysmën e parë të vitit 2019.
Konflikti në Afganistan shkaktoi 3.812 viktima në civilë – përfshirë 1.366 raste të vdekjes në gjashtë muajt e parë të këtij viti, thuhet në raportin e Misionit të KB-së për ndihmë në Afganistan. Gjithsej 38 për qind e viktimave në periudhën janar-qershor 2019 ishin shkaktuar nga talebanët. Megjithatë, shumica e viktimave janë nga palët e tjera, përfshirë edhe koalicionin ndërkombëtar të kryesuar nga SHBA-ja.