Burri i Jankulloskës kërkon shkarkimin e gjykatëses Kacarska

Ish ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, nuk ishte prezente personalisht për të sqaruar para Këshillit Gjyqësor kërkesën për shkarkimin e gjykatëses Dobrilla Kacarska, por në vend të saj kishte dërguar bashkëshortin e vetë Vllatko Ilievski në cilësinë e avokatit personal.

Marketing

Ai tha se shkarkimin e Kacarskës e kërkojnë për shkak të caktimit të seancave gjatë kohës së shtatzënisë së Jankullovskës dhe dy muaj pas lindjes. Ai akuzoi se në mënyrë të njëanshme ka udhëhequr procedurën për rastin “Tanku”, me qëllim ka shkelur parimin për gjykim të drejtë dhe kodin gjyqësor.

Ilievski paralajmëroi se ankesë do të dërgojë edhe në Gjykatën për të drejtat e njeriut në Strasburg duke përmendur edhe shembuj se si ata mund të vlerësojnë punën e njëanshme të gjykatëses.

“Si punë joprofesionale dhe e papërgjegjshme nënkuptohet nëse gjykatësi bën gabim të rëndë me qëllim. Lidhur me njëanshmërinë, Gjykata Evropiane për të drejtat e njeriut shfrytëzon dy metoda të testimit, duke përdorur test objektiv dhe subjektiv”, deklaroi Vllatko Ilievski, bashkëshorti dhe avokati i Jankullovskës.

Bashkëshorti i Jankullovskës akuzoi se Kacarska me sjelljen e saj ka prejudikuar fajësinë ende pa filluar gjykimi, si dhe i ka kufizuar të drejtën e pushimit të lehonisë në muajin e nëntë dhe në shtatzëninë me krizë të lartë.

Gjykatësja Dobrilla Kacarska nënvizoi se thuhen gjëra të cilat nuk janë theksuar në kërkesë dhe se ka zgjerim të kërkesës. Ajo potencoi se ka mundësi të kërkojë prolongim të dëgjimit para komisionit, por shtoi se edhe pse nuk e din çfarë është shtuar në kërkesë, përsëri është e gatshme të përgjigjet në pyetje.

Kacarska e dënoi me 6 vjet burg ish ministren e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska për kurdisje të tenderit për blerjen e Mercedesit luksoz që në disa bomba dëgjohej se e porositi ish kryeministri Nikolla Gruevski. Gjykata e Apelit ia uli dënimin në 4 vite, ndërsa Gjykata Supreme në krye të së cilës atë kohë ishte Jovo Vangellovski, ndaloi vuajtjen e dënimit derisa instance më e lartë të vendos për ankesat rreth vendimit dhe mënyrës së udhëheqjes së procesit gjyqësor.