15 tetori pritet të jetë një datë pozitive për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Agjencia amerikane e lajmeve, Blumberg, raporton se dy vendet do të çelin negociatat për anëtarësimin me BE-në në bazë të një projektdeklaratë të ministrave evropianë.
“Duke marrë parasysh progresin e arritur me reformat, BE vendos të hapë negociatat për anëtarësim me qeveritë e Tiranës dhe Shkupit,” njofton Blumberg.
Sipas prestigjozes amerikane, një dokument i pak kohëve më parë nuk i rekomandonte negociatat, dhe sikundër në muajin qershor, shtetet më hezituese ndaj zgjerimit me Ballkanin mbeten Franca, Holanda, Gjermania dhe Danimarka.
Qeveritë perëndimore vijojnë të kenë dyshime për aftësitë shtetformuese të vendeve ballkanike, përkatësisht për kapacitetin e tyre për të garantuar sundimin e ligjit dhe për të luftuar korrupsionin.
Kjo frikë është trashëguar prej vitit 2004 kur vende tanimë anëtare si Polonia, Hungaria dhe Rumania tregojnë të njëjtat brishtësi si më parë në respektimin e standardeve demokratike.
Negociatat me BE-në, gjithsesi sipas Blumberg, do të jenë një proces që zgjat me vite madje edhe dekada nëse do të merret për shembull rasti i Turqisë.
Të premten parlamenti gjerman zyrtarizoi çeljen e negociatave me Shqipërinë, duke e kushtëzuar ecurinë e mëtejshme me nëntë kushte themelore.
Ndërkohë Holanda mbetet mosbesuese, dhe kryediplomati i saj, Stef Blok, në fundjavë tha se Shqipëria, ndryshe nga Maqedonia e Veriut, ka ende shumë detyra për të bërë, dhe ndoshta këtë vit nuk e meriton hapjen e negociatave me BE-në.