Sindikata e pavarur për arsim, shkencë dhe kulturë dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës sot duhet të ulen në tryezën negociuese, pasi skadoi afati shtatëditor që të hënën e kaluar ia dha MASH-it, kryetari i SASHK-ut, Jakim Nedelkov dhe paralajmëroi se nëse nuk pranohen kërkesat e tyre për rritjen e rrogave, do të ketë grevë të përgjithshme në shkollat fillore dhe të mesme.
Ministri i Arsimit, Arbër Ademi të shtunën në manifestimin “Ndërtojmë ura” deklaroi se është optimist dhe se beson se marrëveshja me SASHK-un do të arrihet. Ministri, i cili sot sërish do të takohet me krerët e SASHK-ut, tha se nuk dëshiron të mendojë në skenare të këqija lidhur me paralajmërimin e Sindikatës për grevë të përgjithshme, nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre.