Isa Mustafa i përgjigjet Haradinaj që tha se kush heq taksën është budalla

Kryetari i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa, në një përgjigje për Express ka deklaruar se akuzat që po bëhen nëpër studio televizive më shumë po i përngjajnë një fushate denigruese e cila krijon rezerva për bashkëpunim të ndërsjellë.

Marketing

Këtë përgjigje ish-Shefi i Qeverisë e ka dhënë duke iu përgjigjur akuzave të Ramush Haradinajt, i cili tha se s’bën të zëvendësohet taksa ndaj Serbisë me reciprocitet.

“Janë disa çështje, të cilat duhet të diskutohen dhe të trajtohen me seriozitet të plotë në këtë fazë dhe pasi të krijohet Qeveria. Nuk është në pyetje vetëm tarifa por edhe disa deklarata dhe akuza në studio televizive, të qëllimshme apo jo, të cilat më shumë po i përngjajnë një fushate denigruese e cila krijon rezerva për bashkëpunim të ndërsjellë ndërmjet palëve”, ka deklaruar Mustafa për Gazetën Express.

Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj derisa ka folur për punën Ekzekutiv, ka deklaruar se largimi i taksës nga ana e Qeverisë së re do të ishte hap i gabuar në kohën kur sipas tij Serbia po vazhdon që t’i përkeqësojë raportet ndaj Kosovës.

“Pra, kurrkush, mos të harrojmë nuk ka me marrë ndonjë kredit, a ndonjë lavdatë, as prej Serbisë as prej bashkësisë ndërkombëtare, përkundrazi kanë me i tall dyjeja, kan me thënë budallatë e hekën, se e dinë që kush e heq është budalla taksën për Serbinë. Pra, imagjinoni çka i bënë vetës ai, çka i bënë vendit të vet, ekonomisë së vet”, thotë Haradinaj.

Sipas tij, largimi i taksës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë do të ishte në dëm të prodhuesve vendor, që gjatë kësaj kohe kanë shënuar rritje në prodhim e punësim.

Më 6 nëntor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës kishte vendosur taksën prej 10 për qind për prodhimet me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Ndërkaq më 21 nëntor kjo taksë u ashpërsua më 100 për qind për të gjitha produktet dhe mallrat e importuara nga këto dy shtete.

Por, krahas efekteve ekonomike, taksa ka bartur edhe efekte politike. Vendosja e taksës nga Qeveria tashmë në largim e Kosovës, ishte si kundërpërgjigje ndaj politikave Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës kundër shtetësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të saj në mekanizma e organizata ndërkombëtare.

Por, BE dhe SHBA në vazhdimësi kanë kërkuar pezullimin apo anulimin e kësaj takse.

Taksa është cilësuar të jetë në kundërshtim me parimet e marrëveshjes së CEFTA’s për lirinë e qarkullimit të mallrave.

Me vendosjen e taksës 100 për qind, janë ngrirë edhe negociatat ndërmjet Prishtinës e Beogradit.

Mirëpo, taksa e vendosur ndaj produkteve serbe e boshnjake ka ndikuar në ndaljen e tregtisë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë./GazetaExpress