“Sot, përmes një vizite në zonat e prekura nga tërmeti i djeshëm, ndava dhembjen me vëllezërit tanë në kampet e ngritura në Durrës e në Thumanë të Fushë-Krujës ku nga afër pashë dëmet dhe vuajtjet e banorëve të këtyre anëve.
I prekur thellë nga kjo e keqe, lutem për shërimin e të lënduarve si dhe tejkalimin e situatës sa më shpejt.
Ngushëllime të sinqerta u shpreh sërish familjeve të viktimave nga kjo fatkeqësi tragjike”. Në këtë mënyrë e ka përmbledhur në pak rreshta, vizitën e tij në Shqipëri, Z.Lazim Destani, filantrop i shquar dhe Kryetar i Bordit të Ecolog International, i cili ishte i pranishëm në dorëzimin e ndihmave të dhuruara nga kompania e familjes së tij për të dëmtuarit nga tërmeti i ditëve të fundit.
Destani, në shoqërinë edhe të Ministrit të Shtetit për Diasporën, Z.Pandeli Majko, vizitoi gjatë ditës së mërkurë, zonat e prekura nga tërmeti, pikat ku kishte më shumë dëme e viktima, si dhe kampet ku strehohen përkohësisht ata banorë të Durrësit dhe Thumanës (Fushë-Krujë), që kanë mbetur pa shtëpi si pasojë e shkatërrimit të banesave.
Destani vitizoi në Durrës, shtabin e emergjencës aty, ku bisedoi me drejtuesit e tij për situatën dhe masat e ndërmarra. Duke i uruar për ditë më të mira, Destani shprehu besimin se, kjo situatë emergjente do të kalojë dhe uroi që të mos përsëritet më.
Ndërkohë Destani pa nga afër kushtet në çadrat e kampingut dhe në çadrën-ambulancë, ku shumë njerëz merrnin ndihmën e parë si pasojë e traumave që kishin pësuar.
Më pas, udhëtimi i Destani dhe Z.Majko vijoi drejt Thumanës, ku u shembën dy pallate, pati më shumë viktima se në çdo zonë tjetër e të tjerë trupa mendohet se janë nën rrënoja. Filantropisti dhe patrioti pa nga afër kërkimet që po bëhen në rrënojat e pallateve të rrëzuara për të nxjerrë trupat tjerë, si dhe vizitoi kampin e Thumanës.
Duke uruar që numri i viktimave të mos shkojë në rritje, Kryetari i Bordit të Ecolog International, bisedoi dhe me stafet e qendrave të pritjes së të dëmtuarve, ku pa nga afër shpërndarjen e ndihmave, kushtet në çadra dhe kërkoi nga personat që shërbenin aty, të mos reshtnin së ndihmuari e punuari për këta njerëz në nevojë.
Pasi ka parë situatën në terren, Destani dhe Majko dorëzuan pranë Qendrës së Emergjencave Civile, në magazinat e tyre, ndihmat e dërguara në kohë rekord nga Ecolog International.
Brenda një nate, janë porositur, ngarkuar dhe sjellë në Tiranë pranë Rezervave të Shtetit 3 kamionë 12 tonësh dhe një furgon me ndihma për të prekurit e viktimave, me artikuj ushqimorë, tenda, krevate portativ, dyshekë, jorganë, jastekë, batanie etj.
Majko, duke folur për situatën pas tërmetit, falënderoi Destani dhe Ecolog-un për ndihmën e dhënë, si e para ndihmë nga Diaspora.
Ndërkohë, me pak fjali, filantropi nga Tetova tha se, “ishte ditë emocionuese dhe patëm rastin të ishim në ambientet e ngjarjeve nga tërmeti në Durrës e Thumanë, ku vizituam dhe kampet e ngritura për të dëmtuarit. Lutemi për të dëmtuarit dhe kjo ngjarje mos u përsërittë më”.
Më herët, Destani pati dhe një takim me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ky i fundit i bëri një panoramë të dëmeve të shkaktuara në Tiranë, ndërsa Destani tha se mbështetja e Ecolog International nuk do të mungojë.