Irani liron përkohësisht të burgosurit e huaj

Irani ka njoftuar të martën për 88 vdekje të reja, si pasojë e koronavirusit të ri, teksa autoritetet kanë liruar më shumë se 1,000 të burgosur të huaj për shkak të pandemisë.

Marketing

Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Shëndetësisë, Kianoush Jahanpour, marrë parasysh numrin e viktimave në 24 orët e fundit, numri total i të vdekurve në këtë shtet ka arritur në 5,297.

Shtetasit e huaj kanë qenë në mesin e 100,000 të burgosurve që janë liruar në disa faza nga muaji mars.

Aty është përfshirë gruaja britaniko-iraniane, Nazanin Zaghari-Ratcliffe, e arrestuar më 2016, e cila është dënuar me pesë vjet burgim për rebelim.

“Çfarë ka bërë Irani është se po garanton shëndetin e të burgosurve dhe dhënia e lejes për liri është një veprim i rëndësishëm” në krahasim me atë që kanë bërë shtetet tjera, ka thënë zëdhënësi i gjyqësorit, Gholamhossein Esmaili.

Një panel i ekspertëve të Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut i ka bërë thirrje Iranit javën e kaluar për zgjatje të listës së të burgosurve që duhen të lirohen përkohësisht, pas përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi i ri.

Esmaili në anën tjetër ka thënë se Irani nuk duhet të kritikohet për “qasjen diskriminuese” pasi ka vepruar në mënyrë të “shkëlqyeshme” në krahsim me Britaninë dhe Shtetet e Bashkuara.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, Irani deri më tani ka regjistruar 84,802 persona të infektuar me koronavirusin e ri.

Marketing