Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi në konferencën e sotme për shtyp njoftoi se janë nënshkaruar kontrata me të gjithë me investitorët privat sa i përket ndërtimit të qendrave fotovoltaike në toka private.
“Hapim një cikël investimesh mbi 130 milion euros, të cilat do të investohen nga sektori publik dhe ai privat në RMV, por njëkohësisht do të kujdesemi për mbrojtjen e ambientit jetësore si dhe për zvogëlimin e çmimit të energjisë elektrike duke rritur kapacitete e gjenerimit të energjisë elektrike pikerisht nga resurse vendore dhe të zvogëlojmë varshmërinë nga importi i energjisë elektrike”, pohoi Bekteshi.
Sipas ofertave të paraqitura, janë nënshkruar marrëveshje për 29 lokacione në të gjithë vendin me gjithsej 23 investitorë në 16 komuna.
Investitorët do të kenë 3 vite afat për të përfunduar ndërtimin e qendrave fotovoltaike ndërsa pas lëshimit në përdorim të qendrave fotovoltaike, do të nënshkruhet marrëveshje për përdorimin e premive në kohëzgjatje prej 15 viteve.