Rasti “Reketi”, Ruskovska: E bindur në fajësinë e Janevës e Jovanovskit

Mbrojtja e Katica Janevës dhe Bojan Jovanovskit po mundohen të dëshmojnë diçka që nuk dëshmohet, deklaroi prokurorja, Villma Ruskovska, në gjykatë, gjatë fjalës përfundimtare për rastin “Zhvatja”. Sipas Ruskovskës, dëshmia e Ana Kamçevës dëshmoi se ka rrjedhur pagesa e 500 mijë eurove, ndërsa Sergej Varoshlia e ka konfirmuar atë, pasi ka dëshmuar se e ka parë të dënuarin, Zoran Mileski-Kiçeec dhe Kamçevën, se si shkojnë në zyrën dhe shtëpinë e Jovanovskit. Edhe sa i përket pagesës së një milionit tjetër, Ruskovska tha se kjo është dëshmuar nga Kamçevi.

Marketing

Ruskovska po ashtu tha se Prokuroria posedon dëshmi se në takimet e tyre Janeva dhe Jovanovski, përveç temave private, kanë diskutuar edhe për lëndët e PSP-së. Madje Ruskovska tha se nuk e kupton pse Janeva ka marrë para për ruajtjen e fshehtësisë kur Jovanovski e dinte lëndën “Perandoria” më mirë se prokurorja Stefanova.

“Jo vetëm që jam e bindur, por vlerësoj se edhe opinioni nëpërmjet juve gazetarëve do të bindet se të akuzuarit i kanë kryer veprat penale.”,- theksoi prokurorja Villma Ruskovska.

Prokurorja Ruskovska në seancë publikoi një video regjistrim nga kamerat e shtëpisë së Jordan Kamçevit më 21 shkurt 2019, përkatësisht një ditë më vonë, pasi Bojan Jovanovski dhe Zoran Milevski Kiçeec dalin me çantën “Luj Viton”. Kjo, sipas Ruskovskës, i demanton pretendimet e Jovanovskit se nuk e din se ku kanë shkuar paratë nga video regjistrimi ku shihet Kiçeec me çantën “Luj Viton” të dalë nga shtëpia e Jordan Kamçevit. Kemi paraqitur dëshmi me lokacion të saktë dhe fotografi se çanta ka përfunduar në shtëpinë e prindërve të Jovanovskit, tha Ruskovska, duke shtuar se video regjistrimin e ka ruajtur qëllimisht për ta prezantuar gjatë fjalës përfundimtare. Sipas prokurores, në video shihet se Kiçeec me të vërtetë e kthen një çantë në shtëpinë e Kamçevit, por ajo nuk është çanta “Luj Viton”.

Pala mbrojtëse: Nuk ka dëshmi që vërteton fajësinë e të akuzuarve

Ndaj kësaj reaguan avokatët e Jovanovskit dhe Janevës, por edhe i akuzuari, Bojan Jovanovski, të cilët pretendojnë se video regjistrimi është montazh. Mbrojtja mbetet në qëndrimin se prokuroria nuk ka dëshmi për vepër penale në rastin “Zhvatja”.

“Nuk po mbrojmë asgjë të pambrojtur, besojmë se nuk ka asnjë dëshmi se mund të vërtetohet çfarëdo qoftë për Katica Janevën.”,- theksoi avokati, Deljo Kadiev.

“Të nxirren vetëm shkëputje nga 21 shkurti, e jo edhe të 22 shkurtit kur i akuzuari Jovanovski thotë se është kthyer çanta e dëshmitarit, vlerësoj se është plotësisht e kundërligjshme.”,- tha avokati, Sasho Dukovski.

Seanca gjyqësore për rastin “Zhvatja” vazhdon më një korrik, për kur janë paraparë fjalët përfundimtare të dy të akuzuarve, Katica Janevës dhe Bojan Jovanovskit.

Marketing