Ekipet spanjolle të futbollit do të rikthehen në fushë më 11 qershor. Lajmin e ka konfirmuar presidentit i La Ligas, Javier Tebas, megjithëse kjo datë ishte dakodësuar më parë edhe nga klubet.
“La Liga rinis më 11 qershor. Po punojmë që gjithçka të jetë gati”, ka thënë ai, ndërsa më pas i është përgjigjur edhe atyre që ishin kundër rikthimit të futbollit iberik. “Ka shumë demagogji. Janë thënë shumë gjëra, madje që jemi edhe pa shpirt. Por njerëzit duhet ta kuptojnë që futbolli është një industri shumë e rëndësishme. Gjeneron 1.37 përqind të prodhimit të brendshëm bruto dhe ka të regjistruar më shumë se 185 mijë të punësuar”, ka vijuar Tebas.
Pas Bundesligës, La Liga është kampionati i dytë, nga ligat kryesore të Europës që rinis aktivitetin. Kalendari i parashikon një axhendë ‘të çmendur’ pasi për 39 ditë do të luhet pa ndërprerje, ndërsa skuadrat do të zbresin në fushë çdo 72 orë për të mbyllur sezonin në datën 19 korrik.
Pas Spanjës, futbolli pritet të rinisë në Premier Ligën angleze më 17 qershor dhe në Serie A në Itali më 20 qershor.