Gjendja aktuale në vend, me parlament jofunksional, rrit rrezikun për korrupsion dhe keqpërdorime

Kriza që ka shkaktuar pandemia e koronovirusit në Maqedoninë e Veriut, ka paralizuar shumë instrumente dhe mekanizma për të luftuar korrupsionin, konfliktin e interesave, keqpërdorim të pozitës zyrtare si dhe deklarimin e rrejshëm në institucionet e shtetit, theksojnë nga organizata joqeveritare e cila në fokus ka luftën kundër korrupsionit, Transparency International.

Marketing

“Gjendja e krizës për shkak të koronavirusit ka krijuar ose do të thosha ka imponuar miratimin e vendimeve të shpejta, në kuadër të një grupi të ngushtë, siç është tani rasti në kuadër të qeverisë teknike, pa një konsultim paraprak me opinionin publik dhe kjo lë shumë hapësirë që vendimet të merren në interesat e grupeve të caktuara dhe jo në interes të përgjithshëm të shtetit dhe qytetarëve. Kemi më shumë indicje dhe informacione se mund të ketë, ose tanimë është konstatuar keqpërdorim i pozitave zyrtare në institucione të caktuara në menaxhimin e krizës së koronavirusit”, thekson Sllagjana Taseva, drejtore e organizatës joqeveritare Transparency International në Maqedoninë e Veriut.

Ndërkohë, që në fillim të shfaqjes së krizës së pandemisë së koronavirusit, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit është zotuar se edhe gjatë situatës së jashtëzakonshme në vend, në kuadër të këtij institucioni janë duke u ndërmarrë të gjitha masat për të parandaluar korrupsionin megjithëse kanë pranuar se në këto kushte në të cilat ndodhet vendi dhe bota, rriten mundësitë për korrupsion.

Ekspertët juridikë thonë se problematike është mosfunksionimi i parlamentit kështu që qeverisë u jepet shumë hapësirë të marrin veprime në bazë të diskrecionit.

“Çdo krizë, edhe pandemia sigurisht se e ritë rizikun për keqpërdorime dhe korrupsion në institucionet e shtetit. Dihet se keqbërësit gjithmonë shfrytëzojnë mundësitë kur gjithëçka duket e mjegulluar. Pra në këtë konotacion kuptohet se kur nuk funksion kuvendi si organ më i lartë i pushtetit shtetëror dhe mbykqyrës i funksionimt të institucioneve që i zgjedh, ata institucione ka të ngjarë të veprojnë të pa koordinuara dhe me skema të shpërdorimit të fuqisë së pushtetit. Pra shteti tani është në lëvizje vetëm dekretet me fuqi ligjore që sjellë qeveria, kuptohet edhe ligjeve në fuqi, por paramendoni vetëm anëtarët e qeverisë vendosin p.sh se sa dhe nga do të huazojnë mjete finsiare dhe kreditime me qindra miliona eurosh. Pa dyshim se ata marin mendimet e instucioneve tjera por vendimin e sjellin ata, madje dekrete tjera me fuqi ligjore p.sh për subvencionimin e kompanive për dëmet e pësuara nga pandemia globale Covid-19 etj etj”, shprehet Qenan Aliu, ekspert juridik.

Nga ana tjetër, Andrej Bozhinovski, ekspert juridik, për Zhurnal thotë se nga vetë fakti se po taktizohet me vendimin për zgjedhje pas përfundimit të masave restriktive për mbrojtje nga COVID-19, flet për papjekurinë e demokracisë maqedonase.

“Ne duhet të ballafaqohemi me faktin se nuk kemi qeveri legjitime. Në mungesë të të ashtuquajturit rojtarë, normalisht është të kemi keqpërdorime të fuqisë dhe autorizimet që i janë dhënë qeverisë teknike. Qeveria teknike në mungesë të parlamentit solli disa dekrete negative por edhe pozitive me çka seriozisht i shkelin principet kushtetuese, por megjithatë neve na duhen përfaqësues të zgjedhur. Në raport me keqpërdorimin e institucioneve, shkeljet më së shumti ishin në MBP, gjegjësisht te Çulev, edhe financat dhe ekonomija janë si adolesent që nuk dinë çfarë me veten”, ka deklaruar për Zhurnal, ekperti juridik, Andrej Bozhinovski.

Mes tjerash, Qenan Aliu shprehet se vetëm legjitimiteti në zgjedhje mundëson mbykqyrjen dhe funksionimin e institucioneve me kapacietet të plotë.

“Megjithatë edhe kur krejt këta funksionojnë shpërdorimet me fuqinë e pushtetit gjithmonë janë të mundshme. Por prandaj në çdo shoqëri është shumë e rëndësishme të funksionojë sistemi gjyqsorë dhe kuptohet gjithsecili që shkel e keqpërdor pushtetin dhe detyrat publike del dhe gjykohet para drejtësisë. Kjo është e tëra asgjë ideale nuk ka në botë”, ka theksuar për Zhurnal, Qenan Aliu, ekspert juridikë.

Ndryshe, në raportin e Qendrës për Komunikime Civile, theksohet se institucionet e shtetit në Maqedoninë e Veriut për sa i përket furnizimeve publike urgjente për menaxhimin e krizës me koronavirusin nxjerr në pah se së fundmi kanë lidhur 142 marrëveshje në vlerë prej 3.2 milionë euro, por mbi 70 për qind e këtyre mjeteve janë destinuar në vetëm pesë kompani dhe se çdo e dyta marrëveshje ka pasur vetëm një ofertë.

Marketing